AstraZeneca dorëzoi 68 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 në tremujorin e parë

Kompania tha se 30 milionë doza të vaksinës shkuan në Bashkimin Evropian, 26 milionë në Britani, 7 milionë në Gavi, një aleancë që siguron vaksina për vendet me të ardhura të ulëta, dhe 5 milionë për vendet e tjera...

AstraZeneca tha se ka dorëzuar rreth 68 milionë doza të vaksinës së saj anti-COVID-19 gjatë tre muajve të parë të vitit 2021, pasi ajo u bë një nga vaksinat e para të aprovuara për përdorim të gjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Prodhuesi anglo-suedez i barnave sot raportoi 275 milionë dollarë të ardhura nga shitjet e vaksinës, ose ekuivalente me 4,04 dollarë për dozë. AstraZeneca është zotuar se do të dorëzojë vaksinën mbi bazë jofitimprurëse për aq kohë sa zgjat pandemia.

Kompania tha se 30 milionë doza të vaksinës shkuan në Bashkimin Evropian, 26 milionë në Mbretërinë e Bashkuar, 7 milionë në Gavi, një aleancë që siguron vaksina për vendet me të ardhura të ulëta, dhe 5 milionë për vendet e tjera.

Vaksina u zhvillua nga studiuesit në Universitetin e Oksfordit, të cilët licencuan teknologjinë për AstraZeneca në një përpjekje për të shfrytëzuar kapacitetin global të prodhimit dhe shpërndarjes së kompanisë.

Rregullatorët në disa juridiksione, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian dhe Indinë kanë autorizuar përdorimin e gjerë të vaksinës AstraZeneca, megjithëse Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së nuk e ka bërë këtë.

Shqetësimi se vaksina AstraZeneca mund të jetë e lidhur me mpiksje të rralla të gjakut ka bërë që disa vende të rekomandojnë që të mos përdoret tek të rinjtë.