Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë mbrëmje në Durrës, ku dy të rinj humbën jetën si pasojë e një atentati. Ngjarja ndodhi rreth orës 18.55 në lagjen numër 14 në Shkozet, në zonën e Nishtullës.
Vetë uniformat blu bënë të ditur se shtetasit Dorian Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia 24 vjeç u qëlluan me breshëri automatike pranë tregut të perimeve. Mësohet se një automjet i tipit “Benz” me xhama të zi iu është afruar dy të rinjve, në momentin kur ato po qëndronin të palëvizur në trotuar, dhe persona të paidentifikuar kanë qëlluar mbi ta.
Automjeti me të cilin dyshohet se autorët kanë kryer krimin u gjet i djegur buzë një rrugë në Rrogozhinë. Raportohet se automjeti “Benz” dhe targat AA 639 ZE janë të vjedhura.
Mjeti i është vjedhur shtetasit me iniciale R.L dhe burime të policisë bëjnë me dije se R.L. është banor i fshatit Sineballaj të Rrogozhinës, i cili ka kryer dhe denoncimin në polici, raporton Shekulli.
Pas të shtënave ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Dorian Shkoza, ndërsa u plagos rëndë 24-vjeçari, i cili u dërgua me urgjencë në spital nga persona të lagjes por ai nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Mësohet se 35-vjeçari është prind i dy fëmijëve, ndërsa 24-vjeçari kishte disa ditë që ishte kthyer nga Britania e Madhe.
Për zbardhjen e ngjarjes policia ka shoqëruar në komisariat disa persona të cilët ishin në vendngjarje dhe mund të ndihmojnë në zbulimin e autorëve.
Paraprakisht pistat hetimore që policia ka ngritur janë; përfshirja në trafikun e drogës, prishje e pazareve të drogës, por edhe ndonjë konflikt i mëparshëm, mes viktimave dhe autorëve.
Ende nuk ka asnjë informacion se kush mund të jenë autorët, por bëhet e ditur se grupi hetimor ka marrë pamjet e regjistruara nga kamerat e zonës.



