Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar një vizitë pune në selinë e Gjykatës Turke të Llogarive në Ankara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vizita e Osmanit në këtë institucion u bë me ftesë të presidentit të Gjykatës Turke të Llogarive dhe Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), Seyit Ahmet Baş.
Takimi është mbajtur me qëllim koordinimin e aktiviteteve në mes dy institucioneve për pjesëmarrje aktive të ZKA-së në forumet e EUROSAI-t, si dhe për t’u përgatitur për pjesëmarrje dhe prezantim të ZKA-së, si anëtarja më e re në Kongresin e 11-të të EUROSAI-t, i cili do të mbahet në muajin e ardhshëm.
Me këtë rast, Presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive, Seyit Ahmet Baş, ka përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, për angazhimin e vazhdueshëm dhe rezultatet e arritura në ndërkombëtarizimin e ZKA-së, duke thënë se anëtarësimi në EUROSAI tregon se sa e përgatitur dhe profesionale është Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës.
Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka vlerësuar lartë punën e Seyit Ahmet Baş, gjatë kryesimit të EUROSAI-t dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë ZKA-së në integrimin në organizatat ndërkombëtare.
“Krerët e të dyja institucioneve kanë shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin bilateral, përmes planit konkret të aktiviteteve për përmbushjen e marrëveshjes së bashkëpunimit të arritur në vitin 2018. Në takim vëmendje e veçantë i është kushtuar aktiviteteve dhe vendimeve të Institucioneve Supreme të Auditimit të Turqisë dhe Kosovës, si reagim ndaj pandemisë së COVID-19, me ç’rast palët shpalosën detaje lidhur me auditimet për COVID-19”, bën të ditur njoftimi.
Zyrtarë të lartë dhe auditorë kanë prezantuar përvojat e Gjykatës Turke të Llogarive në kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në pajtim me standardet, përvojat në auditimin e Teknologjisë Informative, përvojat në sistemin e menaxhimit të auditimit si dhe përvojat në sistemin për analizimin e të dhënave.
Po ashtu, është biseduar edhe për zhvillimet e fundit në përditësimin e metodologjisë së auditimit si dhe vënien në përdorim të sistemit elektronik të auditimit, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe transparencës në procesin e auditimit.



