“Austria mbështet Shqipërinë për hapjen e negociatave me BE-në”

Schallenberg dhe Edtstadler kanë realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa Austria ka dhuruar pajisjes mjekësore, për të lehtësuar përballimin e pasojave të koronavirusit të ri (COVID-19)

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, priti sot në një takim ministrin austriak federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Alexander Schallenberg dhe ministren austriake të Shtetit për Kushtetutën dhe Bashkimin Evropian, Karoline Edtstadler, transmeton Anadolu Agency (AA).

Schallenberg dhe Edtstadler kanë realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa takimi me ministrin Cakaj është realizuar në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.

Ministri Cakaj, në lidhje me takimin, në rrjetet sociale tha se “Vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që gëzojnë dy vendet tona dhe bashkëpunimin shumë të vyer në organizata ndërkombëtare”.

“Austria ka mbështetur fuqimisht çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, Kryesinë e OSBE-së nga ana e Shqipërisë për vitin 2020 dhe sot dy ministrat austriakë konfirmuan edhe një herë mbështetjen e tyre, që Shqipëria të marrë ulësen e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit 2022-2023″, ka theksuar Cakaj.

Sipas ministrit Cakaj, gjatë vizitës Schallenberg dhe Edtstadler dhuruan një sasi pakosh humanitare e pajisjesh mjekësore, për të lehtësuar përballimin e pasojave të koronavirusit të ri (COVID-19).