Autoritetet gjermane dhe belge kapin 23 tonë kokainë e ardhur nga Paraguai

Autoritetet holandeze arrestuan për këtë operacion një 28-vjeçar nga qyteti Vlaardingen, afër Roterdamit, i cili dyshohet të jetë përgjegjës për dërgesat.

Autoritetet gjermane dhe belge kanë mundur të kapin më shumë se 23 tonë kokainë me vlerë disa miliardë euro.

Sasia e drogës u kap dy javët e fundit në pesë ngarkesa të ndryshme me prejardhje nga Paraguai të mbërritura në portin e Hamburgut dhe Antwerpit.

Fillimisht ngarkesa e parë, prej 16 tonësh, u kap më 12 shkurt dhe ishte e fshehur në më shumë se 1,700 kanoçe kallaji të mbyllura me stuko.

Pas ngarkesës së parë të pikasur, autoritetet gjermane, belge dhe holandeze hetuan më tej dhe të dielën bllokuan edhe 7.2 tonë kokainë të tjera që u kapën në portin belg të Antwerpit.

Transporti total prej më shumë se 23 ton do të kishte një vlerë prej “disa miliardë euro” nëse do të përfundonte rrugëve të BE-së, thanë zyrtarët.

Autoritetet holandeze arrestuan për këtë operacion një 28-vjeçar nga qyteti Vlaardingen, afër Roterdamit, i cili dyshohet të jetë përgjegjës për dërgesat.

“Me këtë goditje kundër krimit të organizuar të narkotikëve doganat gjermane kanë demonstruar edhe njëherë fuqinë e tyre mbresëlënëse” – tha Rolf Bösinger, Sekretari i Shtetit i Gjermanisë për Doganat në Ministrinë Federale të Financave.