Autoritetet turke gjejnë 12 emigrantë të ngrirë të kthyer mbrapa nga Greqia

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, ka bërë të ditur se të paktën 12 emigrantë të parregullt u gjetën të ngrirë deri në vdekje në Turqinë veriperëndimore pasi u kthyen mbrapa nga Greqia fqinje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri turk njoftoi se 12 nga 22 emigrantët e kthyer mbrapa nga forcat kufitare greke dhe të zhveshur pa rroba e këpucë “kanë ngrirë deri në vdekje”.”BE-ja është e pariparueshme dhe pa ndjenja njerëzore”, shkroi Soylu në llogarinë e tij në Twitter.

Ai shtoi se derisa forcat greke vepruan si “banditë” kundër njerëzve “viktima”, ato ishin tolerantë ndaj anëtarëve të organizatës terroriste FETO, e cila qëndron pas grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Turqi.

Mijëra anëtarë të grupit terrorist u larguan në Greqi pas tentativës për grusht shtet më 15 korrik të vitit 2016, që u orkestrua nga FETO dhe kreu i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen. Kjo tentativë vrau 251 persona dhe plagosi 2.734 të tjerë.

Soylu ndau disa fotografi të vendit ku u gjetën emigrantët e parregullt, me viktimat me përfytyrim të turbullt.

Më herët, zyra e guvernatorit të provincës Edirne në Turqinë veriperëndimore lëshoi një deklaratë ku tha se trupat e nëntë emigrantëve u gjetën në fshatin Paşaköy të rrethit İpsala, më pak se 10 kilometra nga kufiri grek.

“Një tjetër emigrant i rrezikuar nga ngrirja u shpëtua dhe u transferua në Spitalin Shtetëror në Keşan”, thuhet në deklaratë.

Më tej, thuhet se ekipet turke vazhdojnë të kryejnë misione kërkimi dhe shpëtimi në zonë për emigrantët që mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore.

Zyra e guvernatorit njoftoi se ka nisur një hetim mbi ngjarjen.

Turqia ka qenë pikë kryesore e tranzitit për azilkërkuesit që synojnë të kalojnë në Evropë për të filluar jetë të reja, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Turqia dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në mënyrë të përsëritur kanë dënuar praktikën e paligjshme të Greqisë për të larguar azilkërkuesit, duke theksuar se vendi shkel vlerat humanitare dhe ligjin ndërkombëtare duke rrezikuar jetën e njerëzve të cenueshme, përfshirë gra dhe fëmijë.