Autoriteti i Konkurrencës autorizon me kushte shitjen e ONE tek pronarët e rinj të ALBtelecom

Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar shitjen e operatorit të dytë më të madh të telefonisë celulare, ONE Telecommunications te kompania hungareze 4iG. Blerja e ONE do të kryhet në mënyrë të tërhtortë, nëpërmjet shoqërisë holding Albania Telecom Invest (ATI), që zotëron mbi 99% të aksioneve në ONE.

Pak ditë më parë, 4iG finalizoi edhe zyrtarisht blerjen e operatorit tjetër të telekomunikacioneve në vend, ALBtelecom. Bazuar në analizën e konkurrencës, Autoriteti arriti në përfundimin se ALBtelecom SHA nuk rezulton një konkurrent eficent sipas treguesve ekonomikë, ndërkohë që ONE Telecommunications vlerësohet një konkurrent me mundësi investimi dhe zhvillimi.

Autoriteti i Konkurrencës, në argumentin e vendimit, ka cituar nenin 13, paragrafi 3, të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ku parashikohet se Komisioni, në raste të veçanta, mund të mos ndalojë përqendrimet, kur njëra nga ndërmarrjet pjesëmarrëse rrezikon seriozisht të falimentojë e nuk ka mundësi tjetër më pak antikonkurruese se realizimi i përqendrimit, nëse ndërmarrja ndodhet në një situatë të tillë që, pa këtë përqendrim duhet të dalë nga tregu në një të ardhme të afërt dhe kur nuk ka mundësi për riorganizimin e veprimtarisë së kësaj ndërmarrjeje.

Sipas Komisionit të Konkurrencës, analiza e mësipërme evidenton se ndërmarrja ALBtelecom është në vështirësi për të ndjekur zhvillimet teknologjike që kërkon tregu i komunikimeve elektronike.

Për rrjedhojë, gjykohet se transaksioni mund të mos ketë efekte antikonkurruese në tregun e ofrimit me pakicë të shërbimeve celulare. Megjithatë, Komisioni ka arritur në përfundimin se vlerësimi i efekteve të koordinuara që do të sjellë përftimi i kontrollit të shoqërisë One Telecommunications dhe ALBtelecom nga shoqëria 4iG do të bëhet ex-post, gjatë periudhës së monitorimit të sjelljes së ndërmarrjeve të prekura nga ky transaksion.

Si përfundim, Komisioni i Konkurrencës vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Albania Telecom Invest AD nga shoqëria 4iG, me disa kushte dhe detyrime. Zbatimi i këtyre kushteve dhe detyrimeve do të monitorohet për një periudhë dy vjeçare. Kompania blerëse do të jetë e detyruar të mbajë të ndara llogaritë ekonomike për shërbimin e telefonisë fikse dhe shërbimin e telefonisë celulare.

Gjithashtu, Autoriteti vendosi detyrimin e shoqërisë 4iG pwr tw mos krijuar pengesa të paligjshme për hyrjen e operatoreve të rinj në treg, referuar kryesisht operatorëve të rrjeteve virtuale (MVNO).

Gjithashtu, ndaj 4iG janë vendosur formalisht edhe detyrimet që parashikon ligji “për mbrojtjen e Konkurrencës”, në lidhje me abuzimin me pozitën dominuese.

Sipas ligjit, abuzim me pozitën dominuese mund të jetë vendosja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të çmimeve të padrejta të tregtimit dhe detyrimin e orientimit të tyre drejt kostos së shërbimeve; vendosja e palëve në kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta e të pafavorshme për konkurrencën; vendosja e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, ku këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

Komisioni i Konkurrencës është shprehur se mund ta revokojë vendimin për dhënien e autorizimit, nëse në të ardhmen shoqëria 4iG nuk përmbush kushtet dhe detyrimet e përcaktuara.

Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur t’i rekomandojë AKEP të realizojë analizën e tregut me pakicë të shërbimit të telefonisë fikse dhe celulare, duke shpallur operatorët me Fuqi të Ndjeshme në Treg (FNT), si dhe duke përcaktuar masa rregulluese, sipas përcaktimeve ligjore.

Gjithashtu, për AKEP është përsëritur edhe një herë rekomandimi për të hartuar një rregullore ku të përcaktohen procedurat për licencimin e operatorëve të rinj, Operatorë të Rrjetit Virtual Celulare (MVNO)

Autoriteti i Konkurrencës kërkon gjithashtu që AKEP të vendosë rregulla dhe detyrime për operatorët ekzistues në tregun e telefonisë fikse dhe celulare, që të lejojnë akses, interkonjeksion dhe përdorim të përbashkët të faciliteteve të rrjetit për hyrjen në treg të këtyre operatorëve.

Blerja edhe e ONE nga kompania hungareze do të sjellë ulje të numrit të operatorëve celularë në vend, nga tre në dy. Në fund të 9-mujorit 2021, ONE dhe Albtelecom zotëronin gjithsej 57% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë të telefonisë celulare.

Lidhur me vlerësimin e peshës së tregut sipas të ardhurave nga komunikimet elektronike, të dhënat më të fundit të disponueshme janë ato të vitit 2020. Të marra së bashku, të ardhurat e ONE dhe të ardhura e Albtelecom nga shërbimet celulare arritën në 11.2 miliardë lekë ose rreth 47% të volumit të përgjithshëm të tregut cellular në Shqipëri.

Kjo tregon se, të paktën me të dhënat e vitit 2020, Vodafone Albania do të rezultonte ende operatori më i madh për nga xhiroja, por tregu do të ishte më i balancuar dhe më i përqendruar.

Treguesi që përdoret zakonisht për të matur shkallën e përqendrimit të tregjeve është indeksi HHI, që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Zakonisht, pragu poshtë të cilit një treg pranohet si konkurrues është 1500.

Në intervalin mes 1500 dhe 2500 tregu vlerësohet me përqendrim të moderuar, ndërsa një shkallë mbi 2500 tregon përqendrim të lartë. Megjithatë, për tregjet e telefonisë celulare nivelet më të larta të përqendrimit pranohen si normale.

Këto tregje klasifikohen si oligopole natyrore dhe përgjithësisht ato kanë numër operatorësh më të ulët dhe shkallë përqendrimi më të lartë krahasuar me tregjet e tjera, ku nuk ekzistojnë barriera të mëdha hyrëse. Me të dhënat e vitit 2020, përqendrimi i tregut sipas xhiros ishte mjaft i lartë, në nivelin 3900. Po të bashkojmë xhirot e ONE dhe Albtelecom Mobile, ky përqendrim do të rezultonte edhe më i lartë, sipër nivelit 5000.

Për t’i hapur rrugë përfundimisht këtij transaksioni do të nevojitet edhe një miratim nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Deri tani, AKEP nuk ka njoftuar zyrtarisht për dhënien e një miratimi të tillë./E.Shehu