Azerbajxhani paralajmëroi Armeninë për vendosjen “ilegale” të trupave

Duke nënvizuar se veprimet e Armenisë do të shërbejnë vetëm për të përkeqësuar situatën tashmë delikate në rajon, Azerbajxhani kërkoi që Jerevani zyrtar t'i japë fund vendosjes së paligjshme të trupave në tokën azerbajxhanase

Azerbajxhani paralajmëroi Armeninë të mos vendoste trupa të reja në territoret azerbajxhanase, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se vendosja e forcave në territoret azerbajxhanase të njohura ndërkombëtarisht është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe parimet themelore të të drejtave ndërkombëtare të njeriut.

“Vendosja e paligjshme e trupave armene në territorin e Republikës së Azerbajxhanit, ku aktualisht janë vendosur forcat paqeruajtëse ruse, është gjithashtu një shkelje e rëndë e deklaratës së përbashkët të udhëheqësve të Azerbajxhanit, Rusisë dhe Armenisë të datës 10 nëntor 2020”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Duke nënvizuar se veprimet e Armenisë do të shërbejnë vetëm për të përkeqësuar situatën tashmë delikate në rajon, ministria kërkoi që Jerevani zyrtar t’i japë fund vendosjes së paligjshme të trupave në tokën azerbajxhanase.

“Azerbajxhani gjithashtu i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë masat e nevojshme për t’i dhënë fund veprimeve të tilla provokuese nga Armenia. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që organizatat me një mandat për të mbrojtur të drejtat e njeriut të dënojnë fuqishëm veprimet e Armenisë që shkelin rëndë të drejtat dhe liritë e njeriut të pjesëtarëve të Forcave të saj të Armatosura”, theksojnë nga ministria.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone fqinje.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator 2020, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi gati tredekadësh.