Bajram Begaj pritet me ceremoni shtetërore në Prishtinë nga Vjosa Osmani

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është pritur me ceremoni shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova”, në Prishtinë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së tij dy ditore.

Begaj u nderua edhe nga Forcat e Armatosura dhe më pas është përcjellë drejt zyrës së Presidencës, ku do të zhvillojë një takim me Osmanin.

Pas përfundimit të takimit, Begaj dhe Osmani do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp, teksa kreu i shtetit shqiptar, do të ketë takime edhe me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e KFOR-it.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Begajt si President i Shqipërisë, pas marrjes së detyrës më 24 korrik.

Begaj është Presidenti i tetë i Republikës së Shqipërisë, i treti me një karrierë ushtarake para marrjes së detyrës dhe i dyti si mjek.