Banka e Shqipërisë: Rritje e konsumit dhe investimeve, rënie e normës së papunësisë

 Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori sot në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare.
 Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori sot në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare.
Në mbledhjen e sotme pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.00%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.10% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 1.90%.
Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se “Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike do të vijojë të mbetet në territor pozitiv në afatin e mesëm. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike do të sjellë një ngadalësim të përkohshëm të rritjes gjatë vitit 2019. Më tej, kushtet e favorshme të financimit dhe bilancet e përmirësuara të agjentëve privatë, pritet të sjellin zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve prodhuese”, raporton ATA.
“Nga ana tjetër, komponentët kryesorë të kërkesës agregate – konsumi dhe investimet private – kanë vijuar të rriten”, tha Sejko, duke nënvizuar se “zgjerimi i kërkesës agregate ka vijuar të mundësojë rritje të punësimit, rënie të normës së papunësisë dhe rritje të vazhdueshme pagash, gjatë viteve të fundit. Ky trend ishte i pranishëm dhe në tremujorin e parë të vitit aktual”.
Ndonëse, shtoi Sejko, nuk janë favorizuar nga klima e tensionuar politike, konsumi dhe investimet private janë zgjeruar në përgjigje të rritjes së të ardhurave të disponueshme, të nevojës për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, si dhe të kushteve të favorshme të financimit.
“Politika monetare stimuluese ka krijuar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi dhe prime të reduktuara rreziku, duke nxitur rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve”, u shpreh Sejko.