“Barazia gjinore është prioritet i Qeverisë së Shqipërisë”

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, theksoi gjatë prezantimit të raportit se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave janë prioritete të Qeverisë së Shqipërisë

Në indeksin e barazisë gjinore 2020, rezultati i Shqipërisë është 60,4 pikë, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ky rezultat është pak më poshtë mesatares së Bashkimit Evropian (BE) me 67,4 pikë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një aktiviteti në Tiranë, u prezantua raporti i indeksit të barazisë gjinore në Shqipëri, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe të Institutit Evropian për Barazi Gjinore (EIGE).

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, theksoi gjatë prezantimit të raportit se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave janë prioritete të Qeverisë së Shqipërisë.

“Matja e progresit dhe orientimi se ku duhet shkuar janë arritur sot përmes publikimit të Indeksit të Barazisë Gjinore, i cili është realizuar për herë të parë në Shqipëri, duke e përafruar vendin tonë më tepër me vendet e Bashkimit Evropian. Raporti i indeksit të barazisë gjinore 2020 në Shqipëri është një pikë kthese e rëndësishme për t’i bërë të matshme arritjet dhe mangësitë tona sa i takon hendekut gjinor”, tha Manastirliu.

Sipas saj, ky raport “është një gur kilometrik për hapat që do të ndërmarrim në këtë aspekt drejt aspiratës tonë për t’u bërë anëtarë të familjes së madhe evropiane”.

Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Mario Mariani, theksoi se “Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i angazhuar në promovimin e barazisë gjinore dhe në fuqizimin e grave dhe vajzave”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezultati më i lartë për Shqipërinë në këtë indeks i përket fushës së shëndetit dhe është 81,8 pikë. Sipas raportit, në Shqipëri vazhdon ndarja gjinore në tregun e punës, ku gratë dominojnë në shërbimet sociale.

Raporti u hartua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave të Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Evropian për Barazi Gjinore (EIGE).