Basha bëhet me “shtëpi të re”, pas largimit nga drejtimi i PD-së merr zyrë shumë pranë selisë blu

Që pas dorëheqjes nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk e ka më zyrën në selinë blu. Mësohet se ish-lideri demokrat ka marrë një “shtëpi të re”, e cila ndodhet në katin e 10-të të qendrës “Torre Drin”, shumë pranë godinës ku ndodhet selia e Partisë Demokratike.

Bëhet e ditur se zyrën e tij në selinë blu, që Basha e mbajti për 9 vite e ka boshatisur ditën e djeshme.

Burimet bëjnë të ditur, se pikërisht nga zyra e re, Basha ka nisur edhe axhendën e takimeve, ndërkohë që aty punon edhe stafi personal, më i ngushtë i Luzim Bashës.

Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së pas presioneve të shumta nga Grupi Parlamentar dhe Kolegji i Kryetarëve, pas disa humbjeve radhazi në zgjedhje. Në deklaratën e tij, ai tha se po bënte një hap pas për të bashkuar demokratët, por shtoi se do të vijojë qëndrimin në PD. Nuk dihet nëse Basha do të kandidojë sërish për t’u rizgjedhur kryetar partie, pasi drejtimin e PD-së e ka marrë Komisioni i Rithemelimit./Panorama