Basha dhe Kryemadhi: Të shtunën nisim me…

Krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë njoftuar se të shtunën PD-ja do të mbledhë Këshillin Kombëtar për nisjen e protestave popullore.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka njoftuar se të shtunën PD-ja do të mbledhë Këshillin Kombëtar për nisjen e protestave popullore.

Deklaratën e bëri pas një mbledhjeje me aleatët.

“E gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota e pa se si në Parlament Edi Rama i hoqi opozitës edhe të drejtën elementare më kushtetuese, të drejtën për të folur. Vendi po rrëshket drejt autoritarizmit dhe diktaturës, Edi Rama ka tani një parlament privat për të shkatërruar interesat kombëtare. Ka ndërtuar një qeveri private për të vjedhur qytetarët dhe ka ndërtuar një shtet privat për të dhunuar qytetarët. Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike dhe ekonomike ku është vendi, prandaj në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve, ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës’, tha Basha.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se prej ditës së nesërme do të këtë shumë zhvillime nga radhët e opozitës për të larguar nga pushteti kryeministrin Edi Rama.

“Shumë shpejt do të kemi axhendën, Basha e tha shumë mirë, opozita do të bashkohet. Sot kemi një Parlament të marrë peng, shumë shpejt do të njiheni me axhendën dhe strukturën, me të gjithë grupet e interesit. S’ka më nevojë për protesta masive, ke mijëra studentë që protestojnë, prindër, minatorë që janë gati. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Lajme pafund do të keni që nga nesër e tutje”, u shpreh Kryemadhi./TCh