Lulzim Basha u shpreh i lehtësuar që Shqipëria nuk mori një jo të prerë nga Gjermania, për hapjen e negociatave. Duke komentuar vendimin e partive të koalicionit qeverisës në Gjermani, të cilat një natë më parë vendosën të votonin pro çeljes së negociatave me Shqipërinë në seancën e së enjtes, kreu i PD tha se 9 kushtet e vendosura shprehin shqetësimin e madh të Bundestagut për situatën në vend.
“Ndihem i lehtësuar që nuk ka një jo të prerë që ishte qëndrimi fillestar i një pjese të rëndësishme të grupeve parlamentare gjermane dhe vazhdon të mbetet një problem sa i përket, të paktën 3 vendeve të tjera të rëndësishme, anëtare të BE. Por nga ana tjetër është e qartë se kemi kaluar nga 5 kushte para 3 vitesh, në 7 kushte para dy vitesh dhe një viti dhe në 9 kushte sot, duke përfshirë këtu edhe kërkesën e qartë dhe ngulmuese për t’u shprehur me fjalët e Bundestagut, për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në vend, si një pengesë serioze që vështirëson hapjen e negociatave”.
Sipas Bashës vetë shtimi i kushteve shpreh shqetësimin për hapat prapa që ka hedhur Shqipëria që nga Qershori i vitit të kaluar, kur u diskutua rekomandimi për herë të fundit.
“9 kushtet e miratuara mbrëmë për t’u plotësuar nga Shqipëria shprehin shqetësimin e madh të Bundestagut për situatën në vend. Vetë shtimi i kushteve nga 7 në 9, shpreh shqetësimin për hapat prapa, që Shqipëria ka hedhur që nga Qershori i vitit të kaluar, kur për herë të fundit u diskutua rekomandimi. Duhet ta themi qartë dhe duhet ta themi për çdo shqiptar, se vendimi për të shtuar kushtet dhe kërkesat reflekton dështimet e kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri dhe jo të Shqipërisë dhe as të popullit shqiptar”.
“E vërteta është kur vendi të plotësojë 9 kushte të ndara në dy faza. Për herë të parë kemi një mekanizëm me dy faza, ndërkohë që Maqedonisë së Veriut kapitujt do t’i përcaktohen që në konferencën e parë. Ndërsa ne kemi dy kushte, vënien në punë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Reformën Zgjedhore gjithëpërfshirëse. Konferenca e dytë do të ndodhë vetëm nëse janë zbatuar 7 kushtet e tjera.”



