Kreu i opozitës Lulizm Basha në një deklaratë për mediat u shpreh se takimi me delegacionin e Venecias ishte shumë i frytshëm.
“Takimi me ekspertët e Komisioni të Venecias ishte shumë i frytshëm. Shqipëria është në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike. Ilustrimi më i mirë i kësaj krize, në javët e fundit, janë lëvizjet e çoroditura të një pushteti, i cili nuk pret as për opinionin e Venecias, por ka çuar për miratim, në një Kuvend ilegjitim, masa të tjera që forcojnë kapjen e shtetit, kapjen e drejtësisë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese. E gjitha kjo ka çuar vendin në kolaps total. Të drejtat e qytetarëve janë të kërcënuara, prona e qytetarëve është e kërcënuar, jeta e qytetarëve është e kërcënuar, siguria e qytetarëve është e kërcënuar, sepse shteti shqiptar”.
Basha theksoi sërish se Shqipëria është në një krizë të thellë kushtetuese, ndërsa përgjegjësitë i drejtoi mbi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama.
“Gjykatën Kushtetuese, gjykatat e vendit, pronat e shqiptarëve. Gjithçka në këtë vend kontrollohet nga një grusht njerëzish. Kjo nuk është demokraci. Ky nuk është shteti ligjor. Ndaj me Komisionin e Venecias diskutuam jo vetëm problematikën që është rënduar nga muaji në muaj, nga viti në vit, që nga fillimi i kapjes së drejtësisë dhe shkatërrimit të reformës në drejtësi nga një qeveri që do të mbrojë dhe fsheh krimet dhe korrupsionin e vet, por edhe rrugën e daljes. Rruga e daljes është e qartë: Të kthehet legjitimiteti i institucioneve. Të kemi një parlament që, e ka të lidhur fatin me qytetarët. Një parlament dhe një qeveri që e ka fatin e lidhur me qytetarët, do t’iu shërbejë qytetarëve. Një parlament, një qeveri, një kryeministër që ka dalë, siç kemi dëgjuar nga dosjet “184” dhe “339”, nga bashkëpunimi me bandat dhe krimi i organizuar, është peng i tyre, do t’u shërbejë atyre, do t’i shërbejë oligarkisë”.
Ndërkohë kreu i PD tha se opozita sakrifikoi për zgjidhjen e krizës politike duke djegur mandatet, ndërsa shtoi se nëse mazhoranca do të përdorë “në mënyrë të paligjshme, pushtetin e paligjshëm”, opozita dhe populli do të marrin vendime.
“Zgjidhja që ne kërkojmë, nuk po e kërkojmë për veten tonë. Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur rrugën një zgjidhje politike për shqiptarët, jo për veten tonë. Nëse pala tjetër do të vazhdojë të përdorë në mënyrë të paligjshme pushtetin e paligjshëm, paratë e pista të krimit të organizuar, dhe të vendosë interesat e pushtetit të vet dhe të atyre me të cilët ka ardhur në pushtet, kriminelëve dhe oligarkëve, kundër interesave të shqiptarëve, atëherë opozita bashkë me qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqërie europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin”. /tvklan.al


