Basha qëndron për vizitë në Kosovë, pritet në takim nga kryeministri Hoti

Kryeministri Hoti tha se e ka informuar kreun opozitar të Shqipërisë me aktivitetet e Qeverisë për menaxhimin e situatës me koronavirusin e ri (COVID-19), si në shëndetësi ashtu edhe në ekonominë e vendit

Lideri i opozitar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, është pritur në takim në Prishtinë me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, kryeministri Hoti tha se e ka informuar kreun opozitar të Shqipërisë me aktivitetet e Qeverisë për menaxhimin e situatës me koronavirusin e ri (COVID-19), si në shëndetësi ashtu edhe në ekonominë e vendit.

“E informova në detaje për aktivitetet që po i bëjnë ekspertët tanë shëndetësorë në menaxhimin e situatës me COVID-19 të cilën fatmirësisht ditëve të fundit kemi filluar ta sjellim nën kontroll. E informova për aktivitetet që po i bëjmë për t’u dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve në një program të pasur të rimëkëmbjes ekonomike dhe për proceset e rëndësisë nacionale siç është procesi i dialogut”, tha Hoti.

I pyetur nga gazetarët rreth deklaratave nga ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, se javën e kaluar në Bruksel rinisi dialogu teknik midis të dyja vendeve si “kurth” për stërzgjatjen e dialogut politik, Hoti mohoi një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka “dialog teknik” me Serbinë, por ka vetëm dialog për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

Basha, nga ana e tij, foli rreth qëllimit të vizitës së tij. Ai tha se ndodhet në Kosovë “për t’i dhënë përkrahje autoriteteve dhe qytetarëve në një moment të rëndësishëm dhe plot sfida nga pandemia e koronavirusit”.

Basha gjithashtu e përgëzoi rinisjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nën lidershipin e Hotit, duke shprehur mbështetjen e tij dhe “të opozitës së bashkuar në qasjen parimore të palës kosovare për përfundimin e këtij procesi me njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë”.

Duke folur rreth bashkëpunimit ekonomik, Basha tha se “potencialet janë shumë të mëdha”, gjë e cila sipas tij është një mënyrë e sjellshme për të thënë se “nuk kemi bërë sa duhet akoma”.

Ai siguroi se tek partia e tij, qeveria dhe populli i Kosovës do të kenë një partner të devotshëm, që punët e nisura si rruga e kombit dhe liberalizimi ekonomik të vazhdojnë edhe më tej.

Nëse në të ardhmen zgjidhet kryeministër i Shqipërisë, Basha tha se një ndër veprimet e para do të jetë heqja e taksës dhe traut në rrugën e kombit.

“Një vendim i padrejtë që rëndon mbi ekonominë e Kosovës dhe ekonominë e Shqipërisë dhe ngadalëson shkëmbimin ekonomik dhe shanset për bashkërendim të faktorëve ekonomik në dy vendet tona”, tha Basha, duke iu referuar taksës në rrugën e kombit.

Pas Hotit, Basha do ta takojë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atë të NISMA-s, Fatmir Limaj. Ai po ashtu do të ketë takime me drejtuesit e Lidhjes Demokratike, si dhe të Partisë Demokratike.

Gjatë ditës së nesërme, Basha do të takohet me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ndërsa do të zhvillojë homazhe pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova, varrit të Isa Boletinit në Boletin, si dhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.