Bashkia e Shkodrës i hap dritën jeshile privatizimit të KF Vllaznia

Bashkia e arsyetonte vendimin me faktin se vitet e fundit interesi i sipërmarrjeve private për të investuar në futboll është rritur, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ka përmirësuar standardet dhe rregullat e zhvillimit dhe mbikëqyrjes së aktivitetit sportiv.

Me 39 vota pro, Këshilli i Bashkisë Shkodër i hap dritën jeshile privatizimit të KF Vllaznia.

Procedura do të jetë në ankand në masën 100 % të aksioneve të Klubit të Futbollit Vllaznia.

Rreth një muaj më parë Bashkia Shkodër kërkoi pëlqimin e tifozerisë shkodrane dhe qytetarëve të saj për shitjen e aksioneve të klubit të Vllaznisë, transmeton euronews.

Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të bashkisë, qytetarëve u kërkohej të jepnin pëlqim nëse janë dakord që Bashkia Shkodër t’i shesë me ankand 100 për qind të aksioneve të saj me çmim dysheme rreth 400 mijë euro (50 milionë lekë).

Bashkia e arsyetonte vendimin me faktin se vitet e fundit interesi i sipërmarrjeve private për të investuar në futboll është rritur, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ka përmirësuar standardet dhe rregullat e zhvillimit dhe mbikëqyrjes së aktivitetit sportiv.

“Janë disa sipërmarrje vendase dhe të huaja që kanë shprehur interes për pjesëmarrje në investim, në rast të realizimit të procedurave të privatizimit të shoqërisë aksionere, duke u bërë indicie për fillimin e procedurës së shitjes”, – thuhej në njoftimin e Bashkisë.