Bashkim apo bashkëpunim?

Nga Redi Shehu

Ajo çka turbulloi politikën këto ditë është aksioni i beftë opozitar për të gjetur një rrugë bashkëpunimi mes dy fraksioneve kryesore të saj. Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike të udhëhequr nga z. Alibeaj, mandaton ish -sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie z. Bardhi për të nisur bisedimet me përfaqësuesit e grupimit Berisha lidhur me gjetjen e një mundësie për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme lokale. Pas një kohe të gjatë lufte politike, sharjesh e denigrimesh që filluan që nga Shtatori i vitit te kaluar e që kulmuan me sulmin e paprecedent të 8 Janarit, fraksionet e Partisë Demokratike sot çojnë të mandatuarit e tyre të pinë kafe në mënyrë që të gjejnë një mundësi bashkëpunimi. Një mundësi bashkëpunimi ?! Për çfarë? Për zgjedhjet lokale thonë ata, sepse papritur e paskan kuptuar që objekti kryesor i luftës opozitare nuk na qenkan personazhet e të djathtës por vetë z.Rama. E meqë është kështu, atëherë, hajde të bashkëpunojmë që të mundim Ramën dhe Partinë Socialiste si e keqja më e madhe në perceptimin e të djathtës.

Pyetja që të del natyrshëm pas gjithë kësaj metamorfoze blu, është se për të rrëzuar Ramën nga pushteti a duhet bashkëpunim apo bashkim? Ajo që të gjithë një zëri thonë, lidhur me ndarjen si ngjarjen më të rëndë të ndodhur në historinë e Partisë Demokratike këto tre dekada, është se më shumë se çdo gjë tjetër asaj i duhet bashkimi më shumë se sa bashkëpunimi. Bashkëpunimi mund të ndodhë edhe brenda dy a më shumë fraksioneve brenda të njëjtës parti. Ai mund të ndodhë për një çështje të caktuar dhe për një kohë të caktuar, ndërsa bashkimi është zgjidhja përfundimtare e problemit më të madh me të cilin  e djathta shqiptare përballet sot. Nëse për bashkëpunim duhet një përpjekje minimale dhe ndarje pragmatike kohe dhe personazhesh, për bashkimin do të duhet që palët të dalin përtej vetës dhe të zhbëjnë të gjithë atë që ata ndërtuan aq keq që nga Foltorja e deri në  zgjedhjen e kryetari të ri por me moshë të vjetër, z. Berisha. 

Duke iu referuar deklaratave të të dyja palëve, edhe pse thone se as nuk pranojmë dhe as nuk vendosim kushte,  mundësia e bashkimit duket se është e largët, sepse të dyja palët deklarojnë se ata nuk kanë ndonjë modifikim nga qëndrimet e tyre të mëparshme. Grupi i z. Alibeaj nuk heq dorë lidhur me qëndrimin që ata kanë me “non grata” të z. Berisha, edhe pse ky i fundit imponohet tashmë politikisht dhe elektoralisht brenda PD-së për shkak të mbështetjes që gëzon tek anëtarësia, ndërsa z. Berisha deklaron se nuk heq dorë nga zhvillimi i primareve. Për ta kuptuar më mire, zhvillimi i primareve brenda Partisë Demokratike, është një procedurë e cila, nëse vërtet bëhet e tillë, i zgjedh kandidatët bazuar në votat që marrin nga demokratët. Kush merr më shumë vota atëherë ai do të zgjidhet si kandidati zyrtar i PD-së në bashkinë përkatëse.

Deklarata e z. Berisha se nuk heq dorë nga zhvillimi i primareve, paçka përpjekjeve të grupimit tjetër për të nisur bisedimet rreth daljes me një kandidat të përbashkët, në fakt e vendos grupimin e z. Alibeaj para një fakti të kryer, jo vetëm kaq por kjo procedurë, primaret pra, rrëzojnë të gjithë narrativën e bisedimeve. Për çfarë tjetër do të duhej të bisedonin të dy grupimet nëse çështja e kandidatëve konsiderohet e mbyllur për shkak të primareve? Kjo nënkupton që partia e z. Berisha nuk e ka ndërmend të bëjë një hap pas në axhendën e saj, por kërkon që të gllabëroje politikisht edhe pjesën tjetër të demokratëve të mbetur jashtë saj. Një qasje pak egoiste kjo dhe aspak altruiste kur bëhet fjalë për një politikë të djathtë e cila më shumë se kurrë sot ka nevojë të maksimizojë çdo votë për t’u përballur  me një supermaxhorancë më të fuqishme politikisht se asnjë herë tjetër.

Çështja është se nëse do të duhej të fillonte procedura e bashkimit si një hap i sinqertë dhe domethënës, se pari do të duhej të bëhej duke i kërkuar falje të gjithë demokratëve për  gjithë atë ambient acid të krijuar vitin e fundit, i cili trazoi shpirtrat e së djathtës, shau dhe ofendoi persona të cilët kishin dale thjesht në krahun tjetër për shkak të asaj që ata mendonin në një shoqëri të lirë. Së dyti, do të duhej të  njihnin kontributet e secilit në politike duke hapur partinë jo thjesht si procedurë fasadë por duke i krijuar mundësinë e vazhdimit të kontributit të tyre politik. Çështja kryesore e cila është bërë molla e sherrit, “non grata” do vazhdojë të jetë aty si një ferrotë gjigante e cila ndërlikon pa masë marrëdhëniet e PD-së me faktorin ndërkombëtar, prandaj edhe kokëfortësia e qëndrimit të z. Berisha në krye, me justifikimin legjitim si i zgjedhur, mund t’i japë një kënaqësi politike, por nuk të garanton një të ardhme e për më tepër një pushtet të djathtë nesër në Shqipëri.

Dilema rreth bashkimit përballet pikërisht me këtë legjitimet që z. Berisha ka, nga i cili buron shpesh edhe arroganca e tij. Ai është në të drejtën e tij të pretendojë të gëzojë votën që ka marrë nga anëtarësia, por ama është edhe në përgjegjësinë tij si kryetar historik i kësaj partie të mund t’i garantojë një të ardhme asaj. E ardhmja sigurohet pikërisht përmes bashkimit dhe jo thjesht bashkëpunimit, apo edhe gllabërimit. Që Partia Demokratike mos të endet politikisht si dy copa të ndara që nuk gjejnë asnjë pikë takimi, duhet që të triumfojë lidershipi i cili  jep hapësirë kundërshtarit edhe pse i vogël. 

Por, kjo ka pak gjasa të ndodhë, për sa kohë e gjitha foltorja, rithemelimi dhe e gjithë procedura që rrodhi më pas, qe konceptuar si makineri lufte politike e cila do te shkatërronte çdo kundërshtar i cili qe bërë pjese e opozitës së Bashës. Sot, më shume se çdo herë tjetër, z. Berisha si thelbi i konfliktit të PD-së, është më i fortë se kurrë. Ai nuk do të lejojë që grupi i z. Alibeaj të mund të përfitojë legjitimitet elektoral në sajë të një marrëveshjeje të mundshme me të. Nëse do ta bënte këtë ai nuk do të përmbyllte edhe fazën finale e cila është marrja totale e kontrollit te së djathtës. Ai mund të tolerojë këtë grupim vetëm nëse ata vijnë si fraksion brenda partisë duke braktisur konturet e tyre politike dhe partiake, duke u kthyer kështu vetëm në një rrymë kundra brenda partisë së tij. Në këtë format ai mund t’i “administrojë” pa problem. Nga krahu tjeter grupi i z. Alibeaj e dinë fort mire se nëse ata braktisin narrativën politike të ndërtuar deri më tani në lidhje me “non grata”-n, do të avullonin si entitet politik. Ja, përse është i  pamundur  bashkimi mes tyre. Ja, përse përdoret retorika e bashkëpunimit  për hir të demokratëve” pë të kamufluar qëllimin e vërtete i cili është ekzistenca për secilën palë. Të parët për t’i rezistuar presionit ndërkombëtar, të dytët për t’i rezistuar gllabërimit.