Bashkimi Evropian prezanton certifikatën dixhitale për të vaksinuarit ose shëruarit nga Covid-19

Dokumenti dixhital, i cili përfshin një kod QR dhe mund të mbahet në telefonin mobil, nuk quhet “pasaportë vaksinimi”. Certifikata do të thotë thjesht që udhëtarët nuk do të kenë nevojë të karantinohen.

Komisioni Evropian ka zbuluar “certifikatën dixhitale jeshile” që lejon qytetarët e Be të cilët janë vaksinuar, kanë rezultuar negativ ose kanë kaluar Covid-19, të udhëtojnë lirshëm këtë verë.

Plani lejon gjithashtu shtetet jugore si Spanja, Greqia dhe Portugalia, ekonomia e të cilëve mbështetet në turizëm, të bëjnë marrëveshje bilaterale me shtetet jo-anëtare të BE, duke përfshirë Britaninë.

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë shtetet anëtare të rikthejnë lëvizjen e lirë, në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme,” u shpreh presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen.

Dokumenti dixhital, i cili përfshin një kod QR dhe mund të mbahet në telefonin mobil, nuk quhet “pasaportë vaksinimi”. Certifikata do të thotë thjesht që udhëtarët nuk do të kenë nevojë të karantinohen.

Certifikata është e disponueshme për të gjithë qytetarët të cilët mund të vërtetojnë që ose janë vaksinuar kundër Covid-19, janë testuar negativ, ose zotërojnë antitrupa pasi janë shëruar nga virusi.

Kjo certifikatë dixhitale vjen pas shumë përpjekjesh për muaj me radhë, për sjelljen e një sistemi të përbashkët, të përdorur gjerësisht në Evropë, me qëllim lehtësimin e lëvizjes brenda BE. /PCWorld Albanian