BE dhe KE urojnë Kurtin për qeverinë e re: Presim reforma

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re të vendit.

Përmes një postimi në X – dikur Twitter – Kallas ka thënë se është krijuar momentum i ri për t’i avancuar marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës si dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, prandaj vetë ajo është e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë.

Mes tjerash, Kallas e ka përmendur edhe rëndësinë e kryerjes së reformave.

“Kjo është rruga më e shpejtë për t’ia hapur rrugën mbështetjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej qindra miliona eurove dhe të ketë përparim në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Kallas.

Kurtin e ka uruar edhe Komisionarja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjithashtu e ka përmendur nevojën për reforma dhe përfitime nga Plani i Rritjes i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Mezi pres ta vizitoj Kosovën shpejt”, ka thënë ajo përmes një postimi në X.

Qeveria e re, në krye me Kurtin, i ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.