“BE duhet të zhvillojë bashkëpunim me Turqinë”

“Turqia është një vend kandidat për në BE dhe aleat i NATO-s. Prandaj, është në interes të BE-së të zhvillojë bashkëpunim efektiv me Turqinë”, tha kryediplomati kroat Gordan Grliç-Radman

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, tha se është në interes të Bashkimit Evropian (BE) të zhvillojë bashkëpunim efektiv me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryediplomati kroat këto komente i bëri në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili po qëndron në vizitë në Zagreb.

“Turqia është një vend kandidat për në BE dhe aleat i NATO-s. Prandaj, është në interes të BE-së të zhvillojë bashkëpunim efektiv me Turqinë”, tha Radman, duke shtuar se Turqia është një partner i rëndësishëm i BE-së në krizën e refugjatëve, sigurinë, luftën kundër terrorizmit, si dhe ekonominë dhe tregtinë.

“Turqia është shtëpi për 4 milionë refugjatë. Prandaj, marrëveshja e refugjatëve midis Turqisë dhe BE-së luan një rol të rëndësishëm”, tha Radman.

Ai gjithashtu tha se Kroacia do të japë mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe BE-së.

“Dialogu midis Turqisë dhe Kroacisë do të kontribuojë në zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh”, theksoi ai.

Më herët gjatë ditës, Radman dhe Çavuşoğlu vizituan qytetin Petrinje të rajonit qendror Sisak ku një tërmet i fuqishëm me madhësi 6,3 ballë shkaktoi vdekjen e 7 personave dhe plagosi 27 të tjerë në 29 Dhjetor 2020.

Shumë ndërtesa u dëmtuan, ndërsa nga tërmeti u ndikuan rreth 160 mijë njerëz.

Ministrat së bashku ia dorëzuan çelësin një gruaje të moshuar që u ndikua nga tërmeti të një prej shtëpive-kontejnerë të dhuruara nga Turqia.

Radman gjithashtu tha se Kroacia dhe Turqia mbështesin paqen, stabilitetin dhe funksionalitetin e Bosnje e Herzegovinës.

Mekanizëm trepalësh mes Turqisë, Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës

Kryediplomati turk Mevlüt Çavuşoğlu tha që të dy ministrat diskutuan shumë çështje rajonale përfshirë Ballkanin Perëndimor, veçanërisht Bosnje e Hercegovinën.

“Kroacia luan një rol shumë të rëndësishëm në Bosnjë Hercegovinë. Dhe kjo është arsyeja pse mekanizmat tanë trepalësh duhet të përshkallëzohen në nivelin e udhëheqësisë”, tha Çavuşoğlu.

Në lidhje me marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së, Çavuşoğlu tha se Kroacia ka mbështetur gjithmonë anëtarësimin e Turqisë në BE.

“Dhe ata gjithmonë kanë mbështetur një agjendë pozitive kur bëhet fjalë për pranimin e Turqisë në BE dhe për këtë, ne dëshirojmë t’i falënderojmë ata”, shtoi ai.

Çavuşoğlu ftoi gjithashtu homologun e tij Radman dhe kryeministrin e vendit Andrej Plenkoviç në samitin e vendeve të Evropës Juglindore si dhe Forumin e Diplomacisë në Antalia i cili do të mbahet në qershor.

Marrëdhëniet bilaterale

Çavuşoğlu tha se lidhjet dypalëshe janë diskutuar në shumë detaje dhe mundësitë e mëdha që i presin të dy vendet.

“Pavarësisht pandemisë, vëllimet tona tregtare nuk kanë pësuar dhe përkundrazi, ka një rritje. Ne shpresojmë të arrijmë qëllimin tonë prej 1 miliardë dollarësh sa më parë”, tha Çavuşoğlu.

“Disa nga kompanitë më të mëdha turke po veprojnë në Kroaci. Ka dy arsye për këtë. Një, Kroacia ofron mundësi thelbësore dhe dy, qeveria kroate u beson kompanive tona dhe i mbështet ato”, shtoi ai.

Kryediplomati turk gjithashtu tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kroacinë pas tërmetit të fuqishëm të vitit të kaluar që tronditi qytetin Petrinje.

“Sigurisht, ne kemi vuajtur shumë për shkak të katastrofave, katastrofave natyrore dhe ne jemi gati dhe të përkushtuar për të ndarë të gjitha përvojat tona pozitive me miqtë tanë këtu në Kroaci”, tha Çavuşoğlu.

Lajme të ngjashme