Këshilli Evropian tha përmes një deklarate se sanksionet do të zgjaten deri më 1 qershor 2021, më shumë se një dekadë pas fillimit të konfliktit.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se blloku “mbetet i përkushtuar të përdorë çdo mjet në dispozicion të tij për të nxitur një zgjidhje politike të konfliktit që do të përfitojnë të gjithë sirianët”.
Konflikti sirian është në vitin e tij të 10-të. Kombet e Bashkuara thonë se mbi gjysma e popullsisë është detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre, më shumë se 11 milionë njerëz përfshirë 5 milionë fëmijë – kanë nevojë për ndihmë humanitare, dhe gati tetë milion njerëz nuk kanë qasje të sigurt në ushqim.
Tetë nga 10 sirianë jetojnë nën kufirin e varfërisë, duke fituar më pak se 100 dollarë në muaj, dhe vendi është zhytur në një krizë ekonomike.
BE-ja së pari vendosi sanksionet në maj të vitit 2011. Ato përfshijnë ndalime të udhëtimit, ngrirje të pasurive dhe masa që synojnë fusha siç janë importi i naftës dhe tregtia e pajisjeve që mund të përdoren për shtypjen e civilëve.
Lista e sanksioneve përfshin 273 persona, përfshirë anëtarët e familjes së Asadit, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe strukturën e lartë ushtarake, si dhe 70 “entitete” siç janë organizatat dhe kompanitë e ndryshme.



