“BE synon qasje të dobishme për dyja palët me Turqinë”

Është shumë e rëndësishme për BE-në "të rivendosë një atmosferë dialogu, bashkëpunimi dhe angazhimi të ndërsjellë konstruktiv të dobishëm" me Turqinë, tha Zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano, tha se Bashkimi Evropian (BE) po synon një situatë të favorshme për marrëdhëniet e saj me Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Është shumë e rëndësishme për BE-në “të rivendosë një atmosferë dialogu, bashkëpunimi dhe angazhimi të ndërsjellë konstruktiv të dobishëm” me Turqinë, tha Stano.

BE mirëpret deklaratat e fundit miqësore nga qeveria turke, por BE pret gjithashtu që këto “synime të përkthehen në veprime konkrete, që do të thotë de-eskalim dhe vetpërmbajtje nga veprimet e njëanshme”, shpjegoi ai.

Sipas zëdhënësit, videokonferenca e nivelit të lartë e së shtunës së kaluar dhe vizita e ardhshme e kryediplomatit turk në Bruksel shkojnë në këtë drejtim.

Kjo është “mënyra e vetme për ne që të kemi një situatë e cila është e dobishme për dyja palët”, tha Stano.

BE dhe Turqia janë partnerë në shumë fusha, kështu që “ne kemi nevojë për një mjedis dialogu konstruktiv për të qenë në gjendje të përparojmë marrëdhëniet tona për të mirën e popujve të BE-së dhe Turqisë,” shtoi ai.

Stano përshëndeti gjithashtu bisedimet eksploruese midis Turqisë dhe Greqisë, që duhet të rinisin më 25 janar pas një ndërprerjeje 5-vjeçare, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre bilaterale.

Të shtunën e kaluar presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mbajti një videokonferencë me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Gjithashtu, pritet që ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu të vizitojë Brukselin më 21 janar.

Pas një viti ngritjesh dhe rëniesh, udhëheqësit turq kanë thënë se shpresojnë për përparim në marrëdhëniet me BE-në këtë vit dhe presin që BE të ndërmarrë hapa të qartë drejt këtij qëllimi.

Turqia është një vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2005, por përparimi drejt anëtarësimit të saj ka ngecur për vite me radhë.