Begaj dhe Nikolla mesazhe urimi për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin e 114-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, transmeton Anadolu Agency(AA).

Në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Begaj shkruan se 114 vjet më parë, Kongresi i Manastirit do të shënonte një nga arritjet më të mëdha të historisë kombëtare, duke njësuar alfabetin e gjuhës shqipe.

“Sot festojmë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke kujtuar me respektin më të madh të gjithë mendimtarët dhe atdhetarët që dhanë kontributin e tyre në përmbushjen e ëndrrës për të lëvruar e shkruar gjuhën shqipe me një alfabet të përbashkët”, shkruan Begaj.

Në mesazhin e saj të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, Nikolla thekson se “Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, i cili u mbajt nga 14-22 nëntor 1908, ishte sa produkt logjik i ngjarjeve, ashtu edhe paraprirës i zhvillimeve të pritshme të Shqipërisë.”

“Vendimi i dijetarëve shqiptarë për unifikimin e Alfabetit të gjuhës shqipe nuk ishte thjesht një akt iluminist, por shprehje e Rilindjes Kombëtare dhe një veprim që synonte të forconte unitetin kombëtar dhe lëvizjen për pavarësi”, thuhet në mesazhin e kryeparlamentares Nikolla.

Nikolla thekson se unifikimi i alfabetit kontribuoi në zhvillimin e gjuhës shqipe sipas saj “si një tipar thelbësor i kombit shqiptar, si një organizëm bashkues dhe faktor i identitetit dhe kohezionit kombëtar.”

“Sot Abetarja e unifikuar është një hap i madh drejt fuqizimit të rolit të shkollës dhe Alfabetit në konsolidimin e gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar”, shkruan Nikolla.

Kongresi i Manastirit shënon takimin e dhjetëra studiuesve shqiptarë, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me qëllim krijimin e alfabetit shqip. Në këtë Kongres, delegatët morën vendimin për të pranuar alfabetin latin, me disa ndryshime të caktuara. 22 Nëntori mbetet një ditë përkujtimi për popullin shqiptar, e njohur si Dita e Alfabetit.