Behgjet Pacolli: NATO dhe BE do ta mbështesin krijimin e ushtrisë sepse…

Behgjet Pacolli, ministër i Jashtëm i Kosovës, u shpreh se Ushtria e Kosovës kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por shumë shpejt do të ketë mbështetje edhe nga faktorët e tjerë ndërkombëtarë.

Behgjet Pacolli, ministër i Jashtëm i Kosovës, u shpreh për Top Talk se Ushtria e Kosovës kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por shumë shpejt do të ketë mbështetje edhe nga faktorët e tjerë ndërkombëtarë.

“Ushtrinë nuk e mbështeste pothuajse askush nga faktori ndërkombëtar, por ne vazhduam rrugën tonë. Kemi pasur mbështetje në këtë iniciativë nga SHBA dhe po has mbështetje çdo ditë e më tepër kjo iniciativë. Me kohë, edhe faktorët e tjerë do ta mbështesin, pasi shumica e Evropës e mbështet pavarësinë e Kosovës dhe si shtet i pavarur, ushtria është një gjë absolutisht normale”, theksoi Pacolli.

“Është mirë që Kosova ka formuar grupin dialogues, Presidentit iu ka shtuar edhe ekipi shtetëror për dialog, ku marrin pjesë të gjitha partitë parlamentare të koalicionit dhe një parti që vjen nga radhët e opozitës. Ky grup është i kompletuar, por ka edhe vend për dy partitë e mëdha të opozitës”, u shpreh Pacolli.

Në lidhje me mungesën në grupin dialogues të partive të mëdha opozitare, Behgjet Pacolli tha: “Unë pres që LDK-ja të marrë pjesë pasi gjithmonë ka qenë aty në proceset e rëndësishme të Kosovës, por kjo parti deri tani ka preferuar të mbetet jashtë dialogut. Por, nuk besoj se do të qëndrojë jashtë tij, pasi është partia më e madhe në Kosovë dhe mentaliteti i saj është që të jetë prezente në procese të rëndësishme”./TCh