Belgjika regjistron vdekshmërinë e tepërt më të lartë në Evropë gjatë valës së të nxehtit në fund të qershorit

Belgjika regjistroi shkallën më të lartë të vdekshmërisë së tepërt në Evropë gjatë valës së të nxehtit në fund të qershorit, raportoi e përditshmja belge Het Nieuwsblad, duke cituar të dhënat e rrjetit evropian për monitorimin e vdekshmërisë EuroMOMO, transmeton Anadolu.

Shifrat nga instituti belg i shëndetit publik Sciensano treguan se u regjistruan më shumë se 2.000 vdekje shtesë krahasuar me nivelet e pritshme të vdekshmërisë.

Belgjika regjistroi një shkallë të vdekshmërisë së tepërt prej 48 për qind, krahasuar me 23 për qind në Francë dhe 13 për qind në Holandë, pavarësisht temperaturave po aq të larta.

Ekspertët thanë se faktorët socio-ekonomikë kontribuuan në numrin më të lartë të vdekjeve.

“Ekziston, për shembull, një dallim i konsiderueshëm midis Flandrës dhe Valonisë. Dhe ka një aspekt të pamohueshëm socio-ekonomik në këtë”, tha për Het Nieuwsblad biostatisticieni Geert Molenberghs nga KU Leuven dhe Universiteti Hasselt.

“Në një shtëpi të madhe të pavarur me pak gjelbërim përreth është më pak nxehtë sesa në një apartament të vogël me shumë njerëz”, tha ai.

Sipas raportit, vetëm Flandra regjistroi një shkallë të vdekshmërisë së tepërt prej 31 për qind, ende më e lartë se shifrat kombëtare të raportuara për Francën dhe Holandën.

Molenberghs gjithashtu theksoi se mënyra e zhvillimit urban në Belgjikë mund të ketë qenë një faktor kontribuues, duke thënë se praktikat “e çrregullta” të ndërtimit në vend mund ta kenë përforcuar ndikimin e të nxehtit ekstrem.