Berisha nuk pranon kushtin e Alibeajt: Do jem i pari që do shkoj në mbledhjen e grupit parlamentar

Në Partinë Demokratike pritet të mbahet një mbledhje e grupit kuvendor, por ka disa mosmarrëveshje. Kryetari i komanduar i PD-së, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj i pranon të gjithë në mbledhje përveç Sali Berishës. Por ish lideri i PD-së nuk tërhiqet. I pyetur nëse është njoftuar për mbledhje, Berisha tha: Do jem i…

berisha basha

Në Partinë Demokratike pritet të mbahet një mbledhje e grupit kuvendor, por ka disa mosmarrëveshje.

Kryetari i komanduar i PD-së, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj i pranon të gjithë në mbledhje përveç Sali Berishës. Por ish lideri i PD-së nuk tërhiqet.

I pyetur nëse është njoftuar për mbledhje, Berisha tha: Do jem i pari që do të shkoj në mbledhjen e grupit parlamentar.

Berisha: I pari që do të jetë në atë mbledhje është Sali Berisha. Sali Berisha ka një detyrim madhor absolut nga Kuvendi i 11 dhjetor, të konfirmuar me referendumin e 18 dhjetorit dhe në zgjedhjet e 6 marsit. Nuk e di nëse zoti Alibeaj të jetë shprehur kështu edhe nëse ju ka autorizuar ju.

Pyetje: A keni pasur komunikim me kreun e grupit parlamentar për mbledhje të përbashkët?

Berisha: Jo nuk ka grup të ndarë, ka një grup parlamentar, e kam theksuar dhe e theksoj edhe njëherë se e ndani ju, ai nuk është i ndarë.

Pyetje: A ju ka ardhur njoftim për mbledhje?

Berisha: Më kanë njoftuar kolegët e mi se ka mbledhje dhe unë do shkoj, normale.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi komentoi në Twitter vendimin e Sali Berishës për të qenë pjesë e mbledhjes.

Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike. Askush nuk duhet t’i imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti. Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur nongrata nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Deri atëherë askush nuk mund të imponohet.  Çdo sjellje tjetër që i imponohet me kokëfortësi grupit parlamentar, pa pyet dhe duke e injoruar atë, është e papranueshme dhe jo demokratike”, shkruan ai në Twitter.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga bën me dije se po tentohet të bëhet mbledhja e parë e grupit parlamentar pas 3 muajsh ku do të marrin pjesë edhe të pezulluarit edhe të përjashtuarit.

Enkelejd Alibeaj njoftoi mbledhjen e grupit në orën 09:00, ditën e enjte, pak para seancës plenare. Këtë njoftim e kanë marrë deputetët e PD dhe të pezulluarit.

Nëpërmjet Flamur Nokës, i kanë kërkuar Alibeajt që të marrin pjesë edhe të përjashtuarit, gjë që e ka pranuar por me kushtin e vetëm që të mos pranohet Sali Berisha, i cili është non grata nga SHBA dhe i përjashtuar nga grupi parlamentar.

Në këtë moment është mbledhur me deputetë të rithemelimit dhe pritet të ketë një vendimmarrje, por deri tani refuzon që grupi i Rithemelimit t’i bashkohet mbledhjes së deputetëve të PD dhe ai vetë të mos jetë i pranishëm.