Bie numri i pajtimtarëve të telefonisë celulare në Shqipëri

Krahasuar me një vit më parë konsumi i GB është rritur me 47.3%.

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare vijon në rënie në Shqipëri. Në tre mujorin e parë të 2020-ës Shqipëria kishte 3,25 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 2.48 milionë përdorues aktivë të telefonisë celulare.

Vodafone Albania dominon tregun me 1,61 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 1,18 milionë përdorues aktivë, një rënie me 4.8% dhe 5.4% respektivisht në të dy segmentet për tre muajt e parë të 2020.

Telekom Albania shënoi një rënie në numrin e pajtimtarëve me 2.8% në 1,06 milionë dhe rritje në numrin e përdoruesve aktivë në 990 mijë. ALBtelecom shënoi rënie gjithashtu në të dy segmentet në 569 mijë pajtimtarë dhe 410 mijë përdorues aktivë.

Përqindja me parapagim i përdoruesve aktivë vijon një trend në rënie në Shqipëri ku më të madhen e ka Vodafone Albania. Ky operator ka reduktuar numrin e përdoruesve me parapagesë të cilët kalojnë me kontratë nga 92.5% në fillim të 2019-ës në 70.8% në tre muajt e parë të 2020.

Telekom Albania numëron 87.3% të përdoruesve me parapagim ndërsa ALBtelecom me 78.1%.

Mesatarisht gjatë këtij tre mujori janë konsumuar 3.87GB internet, një rritje e lehtë nga 3.45GB në tre muajt e fundit të 2019.

Krahasuar me një vit më parë konsumi i GB është rritur me 47.3%. /PCWorld Albanian