Biznesi i ‘Black Friday’ në Shqipëri, ku po shpenzohet më shumë?

E Premtja e Zezë (Black Friday) është shndërruar në një nga ditët më të mëdha të blerjeve të vitit, pasi konsumatorët presin të përfitojnë nga ofertat, gjë që mund të çojë në fitime të konsiderueshme për bizneset.

E Premtja e Zezë, e njohur në Amerikë për ditën që pason Ditën e Falënderimeve, dikur ishte famëkeqe për turma të mëdha njerëzish që qëndronin në dyqane të ndryshme, por turmat janë shmangur pasi zbritjet në internet aplikohen më herët.

Sipas komunikimit me disa biznese të mëdha që ofrojnë ulje çdo vit tashmë, ata presin që numri i blerësve këtë fundjavë të kalojë kulmin e dy viteve më parë, para nisjes së pandemisë. Tashmë, edhe koncepti i Black Friday sipas tyre, është bërë më i njohur në vendin tonë.

Por, sipas tyre, rritja e blerjeve të hershme rrit rrezikun që kërkesa e blerësve të bjerë ndjeshëm në dhjetor, pasi ekonomia ngadalësohet dhe rritja e çmimeve për shportën ushqimore dhe gjërat e tjera thelbësore pengon blerjet impulsive-edhe në raste festash.

Përfaqësues nga Neptun dhe Globe pohuan për “Monitor” se kanë aplikuar ulje për të gjithë javën , duke nisur nga data 22, por që presin më tepër blerje në fundjavë që ndjek Të Premten e Zezë.

Sipas tyre, produktet që kanë më tepër interes për blerje janë: kondicionerë, lavatriçe dhe frigoriferë, por edhe pajisje të tjera të vogla shtëpiake si hekur. Nga ana tjetër, edhe televizorët smart dhe laptop vijuan që të jenë të kërkuar, por sipas tyre, një pjesë e shqiptarëve zgjedhin të presin edhe oferta për festat e fundvitit.

Ulje për të Premten e Zezë u aplikuan edhe në shërbimet e fotografisë nga studio të ndryshme në Tiranë. Kryesisht ishin familjet me fëmijët e tyre që zgjodhën të merrnin një shërbim profesional fotografie afër festave të fundvitit. Gjithashtu, dyqane të shumta të shitjeve me pakicë kanë aplikuar ulje për artikuj festiv të fundvitit për Black Friday, kështu një pjesë e shitjeve janë kryer për artikuj si bredhi i Krishtlindjeve, zbukurime, drita etj.

Një tjetër kategori e kërkuar nga shqiptarët, ishin lodrat për fëmijët, por më të pakët në numër krahasuar me kategoritë e lartpërmendura, sepse pjesa më e madhe e kryejnë si blerje në fundvit më masivisht.

Sakaq, edhe sektori i shitjeve me pakicë në fushën e veshjeve ka pasur kërkesa të larta. Në një komunikim me 3 qendra tregtare në kryeqytet, pohuan se 90% e dyqaneve të tyre kanë aplikuar ulje që nisi një javë para ditës së premte dhe kërkesat kanë qenë të lokalizuara në veshje dimërore dhe këpucë.

Nga vëzhgimet në rrugë të ndryshme tregtare në kryeqytet vihet re se, në dyqane të zakonshme të tregtisë me pakicë, të çdo lloj kategorie, shpesh uljet janë fiktive, për shkak të fryrjes së çmimit fillestar të artikullit. Uljet reale të produkteve janë reflektuar kryesisht në dyqanet që janë përfaqësi të kompanive mëmë ndërkombëtare./Deada Hyka