Bozkır: Armëpushimi në Gaza shpresues, presim zbatimin e tij

"Mbledhja për Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme ka qenë efektive në shpalljen e armëpushimit", tha Presidenti i Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Volkan Bozkır

Presidenti i Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Volkan Bozkır, deklaroi se armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe Hamas-it është shpresues dhe tha se presin të shikojnë zbatimin e armëpushimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bozkır, bëri deklarata për gazetarët pas mbledhjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ku u diskutua kriza e përjetuar mes Izraelit dhe Gazës.

Ai theksoi se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u mblodh për shkak se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk u bashkua dhe mbeti i heshtur përballë krizës së përjetuar mes Izraelit dhe Palestinës.

Bozkır u shpreh se në këtë mbledhje janë dhënë mesazhe të fuqishme dhe se kanë marrë mbështetjen e vullnetit politik.

Arritja e armëpushimit në Gaza është shpresuese, tha Bozkır, i cili më tej theksoi se dëshirojnë që të shikojnë zbatimin e armëpushimit.

Pasi bëri të ditur se edhe mbledhja për Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme ka qenë efektive në shpalljen e armëpushimit, Bozkır, shtoi se janë të lumtur nga lajmi për armëpushimin.

Të paktën 233 palestinezë janë vrarë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, kurse më shumë se 1.700 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji.

Pas 11 ditëve të agresionit izraelit, një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti midis Hamas-it dhe Izraelit hyri në fuqi sot herët në mëngjes.