Breshka e detit e ndjekur nga shkencëtarët turq përmes satelitit përshkoi 5.500 kilometra për një vit

"Me ardhjen e verës, breshka Tuba lëvizi drejt Italisë dhe pasi qëndroi në Adriatik për një muaj e gjysmë, kaloi në Shqipëri", tha koordinatori shkencor i qendrës rehabilituese turke për breshkat e detit

Breshka e detit (Caretta caretta) e quajtur “Tuba”, e cila u lëshua në det në gusht të vitit të kaluar nga stafi i Qendrës Rehabilituese për Kërkimin dhe Shpëtimin e Breshkave të Detit (DEKAMER) në Dalyan të Turqisë dhe është përcjellur përmes gjurmimit satelitor, ka përshkuar 5.500 kilometra gjatë kësaj periudhe.

Koordinatori Shkencor i DEKAMER, Doğan Sözbilen, tha për Anadolu Agency (AA) se ata kanë kryer kërkime të ndryshme mbi breshkat e detit dhe kanë instaluar një pajisje gjurmimi satelitor në breshkën “Tuba”, guaska e së cilës është pastruar në Plazhin Iztuzu.

Ai shpjegoi se jeta e breshkave të detit, lëvizjet e tyre në det dhe veprimet e tyre nuk janë mjaftueshëm të njohura, duke shtuar se vitet e fundit i kanë ndjekur breshkat përmes pajisjeve gjurmuese satelitore.

Sözbilen tregoi se ndjekin mënyrën se si breshka orientohet drejt rërës ose destinacioneve të tjera dhe si ndikohet nga fusha magnetike dhe drejtimi i rrymës.

“Për t’i mbrojtur breshkat e detit, është e rëndësishme të dihet se ku janë kërcënimet në det. Ne ndjekim rrugët e migrimit të breshkës Tuba. Pas lëshimit, ajo kaloi dy muaj në ujërat e Marmarisit. Më vonë arriti në ujërat e Greqisë në një periudhë prej një muaji. Ajo u largua nga Greqia dhe më pas shkoi në Ballkan për rreth një muaj. Breshka deri më tani ka përshkuar 5.500 kilometra. Kaloi gjithë dimrin në ujërat e Maltës. Me ardhjen e verës, Tuba lëvizi drejt Italisë dhe pasi qëndroi në Adriatik për një muaj e gjysmë, kaloi në Shqipëri”, tha Sözbilen.

Ai theksoi se breshkat e detit të ndjekura më parë zakonisht shkonin në Afrikën e Veriut.

“Zakonisht, breshkat që udhëtojnë nga Greqia e kalojnë dimrin në anën e Adriatikut, por për herë të parë një kafshë e lëshuar nga ne shkoi atje. Kjo ishte interesante për ne”, tha Sözbilen.

Ai shtoi se synimi i tyre është që të vazhdojnë të marrin të dhëna nga pajisja për një periudhë më të gjatë.