Mijëra pasagjerë janë prekur si pasojë e ndërprerjes së fluturimeve, pasi një nga aeroportet më të frekuentuar në kryeqytetin britanik ka mbetur i mbyllur në mëngjes, pasi u vërejtën disa dronë në pistë që nga mbrëmë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rreth 10.000 pasagjerë u prekën pasi aeroplanët nuk ishin në gjendje për fluturim nga Aeroporti Gatwick, kurse fluturimet hyrëse u ridrejtuan për në Luton, Heathrow, Stansted dhe Mançester.
Disa fluturime hyrëse u ridrejtuan në Paris dhe Amsterdam.
Chris Woodroofe, kryeshefi operativ, tha se janë duke u përpjekur për të gjetur dronët për të cilat raportohej se ende ishin në ajër.
Duke folur për BBC, Woodroofe tha se dy dronë ishin parë duke fluturuar “mbi gardhin perimetrik dhe brenda zonës ku vepron pista”, duke shkaktuar “shqetësime shumë serioze”.
“Mbrëmë shqetësimet prekën 10 mijë njerëz”, tha Woodroofe, duke shtuar se, “Në Gatwick kishte 6,000 njerëz që fluturonin nga e gjithë bota, të cilët u ridrejtuan për në aeroporte alternative”.
“Kishte 2,000 njerëz që nuk u larguan nga aeroporti i tyre i origjinës, si dhe ishin 2,000 njerëz të tjerë që nuk mund të fluturonin në destinacionet e tyre”, theksoi ai.
Policia ende po kërkon pilotin e dronëve dhe ata nuk janë të gatshëm të godasin dronët në ajër për shkak të frikës që plumbat të mos shkaktojnë rrezik, tha ai ndër të tjera.



