Britani, policia ndërhyn ndaj protestuesve të mbledhur në mbështetje të Palestinës

Policia britanike ndërhyri dje kundër demonstruesve në Londër që protestuan ndaj sulmeve të Izraelit në Palestinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Rrugën Victoria Embankment pranë Urës Westminster për të marrë pjesë në një tubim mbështetës për Palestinën, ndërsa më pas marshuan në Hyde Park.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Liri për Palestinën”, “Izraeli është shtet aparteid”, “Stop spastrimit etnik”, “Jeta palestineze është e rëndësishme”, kurse i bënë thirrje Britanisë t’i japë fund mbështetjes së saj për Izraelin.

Pas Hyde Park, një grup demonstruesish marshuan drejt Ambasadës së Izraelit në Londër. Duke parë që hyrja e ambasadës ishte bllokuar nga policia me barrikada, demonstruesit ndezën flamurin izraelit mbi barrikada.

Protestuesit më vonë u larguan nga ambasada dhe vazhduan të protestojnë në grupe. Policia paralajmëroi protestuesit të shpërndahen dhe ndërhyri kundër atyre të cilët nuk i përfillën paralajmërimet, ndërsa disa nga demonstruesit u arrestuan.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit dëmtuan një automjet.

Policia e Londrës tha në një deklaratë se 7 burra janë arrestuar për krime të ndryshme gjatë ditës.