Buxheti “shkëlqen” përtej pritshmërive – 100 Milionë dollarë shtesë nga karburantet, cigaret, metalet, makinat e përdorura dhe plastika

Ndërsa të ardhurat buxhetore kanë shkëlqyer përtej çdo pritshmërie për këtë 6 mujor, duke shtuar në arkat e shtetit plot 400 milionë dollarë, janë 5 taksa përgjegjëse kryesore për këtë rritje: Karburantet, cigaret, metalet, makinat e përdorura dhe produktet e plastikës. Sipas analizës së shifrave, mes 60 grup mallrave, 50% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë këto 5 produkte. Të pesta së bashku, këto kanë sjellë në buxhetin e shtetit rreth 100 milionë dollarë shtesë për gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Në total, Për gjashtëmujorin e këtij viti, në arkat e shtetit janë mbledhur thuajse 400 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Të ardhurat totale për 6-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 234 miliardë ose 104 % të planit të 6-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë rritje prej 39 miliard lekë, thuajse 400 milionë dollarë. Rritje të dukshme kanë shënuar të ardhurat doganore, të cilat rezultojnë 24.3% më shumë se 6 mujori 2020. Të larta janë edhe të ardhurat tatimore, të cilat kanë shënuar rritje me 15.2% më shumë se 6 mujori i vitit të kaluar.

Të ardhurat nga TVSH në import për 6 mujorin rezultojnë 56.9 miliardë lekë, thuajse 560 milionë dollarë. Ato rezultojnë 12.3 miliardë lekë ose 27.5% më shumë se një vit më parë, si dhe 3.2 miliardë ose 5.9% më shumë se plani për 6 mujorin 2021. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar.

Gjatë 6 mujorit 2021, produket doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë karburante importi, automjetet e përdorura, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, veshje dhe tekstile,  dhe materialet e ndërtimit, të cilat kanë një kontribut pozitiv +6.1 miliardë lekë.

Ndër produket me efekt negative renditen energjia elektrike, mielli dhe gruri, sheqeri, dhjamra dhe vajra shtazore dhe fruta –perime, me një efekt -0.8 miliardë lekë./scan