Carovska: 600 shkolla në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë mësim me prani fizike

"Besoj se përkundër sfidave dhe problemeve me të cilat përballemi këto ditë, ne do të kemi një vit të suksesshëm shkollor", tha ministrja e Arsimit, Milla Carovska...

Në kushte të pandemisë të shkaktuar nga paraqitja dhe përhapja e koronavirusit (COVID-19), nesër zyrtarisht fillon viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në pajtim me Planin dhe protokollet për organizimin që kanë përgatitur institucionet e sistemit në bashkëpunim të ndërsjellë dhe me mbështetje të shumë faktorëve të involvuar, mësimi do të realizohet edhe me prani fizike dhe nga distanca. Këtë e deklaroi sot në konferencë për media ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, së bashku me zvministrin Arafat Shabani, prodekanin Boro Jakimovski dhe koordinatoren për zhvillim të Platformës kombëtare për mësim nga distanca, Aleksandra Naqeva Ruzhin.

Ministrja Carovska tha se ky vit do të jetë shumë i ndryshëm nga të tjerët sepse, siç tha ajo, pandemia shkaktoi ndryshime tektonike në jetën tonë dhe procesit arsimor për një kohë shumë të shkurtër iu desh të pësojë një transformim të plotë.

“Besoj se të gjithë së bashku, prindërit, nxënësit, mësuesit dhe autoritetet lokale duhet të bashkëpunojnë në këtë periudhë të adaptimit në mënyrën e re të të mësuarit. Besoj se përkundër sfidave dhe problemeve me të cilat përballemi këto ditë, ne do të kemi një vit të suksesshëm shkollor, se do të mësojmë aftësi të reja dhe se cilësia e procesit arsimor do të jetë në një nivel të lartë”, tha Carovska.

Duke iu referuar Platformës kombëtare, ajo tha se testi i djeshëm i ‘Sistemit-Tims’ u tregua i suksesshëm dhe studentët do të fillojnë të ndjekin mësimet sipas planit. Ministrja Carovska tha se orët do të zhvillohen në online siç është planifikuar, ndërsa vazhdon optimizimi i moduleve të tjera nga vetë platforma, të cilat nuk janë ende aktive.

“Me kënaqësi mund të them se kemi përfunduar me sukses trajnimin e mësuesve për të përdorur platformën. 1.600 mësues kanë trajnimin nga trajnerë master dhe janë bërë trajnues të shkollës. Ata më tej trajnuan mësues në të gjitha shkollat ​​në vend. Gjëja më e rëndësishme është që në çdo shkollë të kemi trajnues shkollorë të cilët transferojnë aftësitë për të punuar në platformë te kolegët e tyre dhe do të jenë mbështetja e tyre”, tha Carovska.

Ajo u përqendrua edhe në, siç tha, një nga çështjet më të hidhura gjatë ditëve të fundit, e ajo është se si fëmijët që nuk kanë kompjuterë do t’i ndjekin ligjëratat, duke potencuar se asnjë fëmije nuk do t’i shkurtohet e drejta e arsimit.

“Të gjithë fëmijët që nuk kanë pajisje, kompjuterë ose për ndonjë arsye nuk mund të ndjekin mësimet online, mund ta ndjekin atë nga klasa. Nëse nga ana tjetër nuk mund ose prindërit kanë vendosur të mos shkojnë në klasë, të gjithë do të pajisen me materialin e nevojshëm të shtypur për të mësuar në shtëpi. Këta nxënës do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me mësuesit ndërsa do të jenë në gjendje të shikojnë të gjitha leksionet në televizion si orë të inçizuara”, tha ministrja, duke shtuar se kjo ndoshta nuk është zgjidhja më ideale, por gjithsesi siguron mbulim për të gjithë nxënësit për të ndjekur rregullisht mësimet.

Ajo informoi se në rreth 600 shkolla fillore dhe të mesme lejohet të organizohet mësim me prani fizike, nga gjithsej 864 kërkesa të marra nga themeluesit.