Çavuşoğlu: Në fillim të majit një delegacion nga Turqia do të shkojë në Egjipt

"Egjipti ftoi një delegacion nga Turqia. Në fillim të majit një delegacion do të shkojë në Egjipt", tha ministri Çavuşoğlu.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, njoftoi se Egjipti ka ftuar një delegacion nga Turqia, duke shtuar se një delegacion i nivelit të zv.ministrave do të shkojnë në Egjipt në fillim të majit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu, vlerësoi çështjet e axhendës në një program televiziv në Turqi.

Duke tërhequr vëmendjen se marrëdhëniet me Greqinë në vitet e fundit janë të tensionuara, ai tha se kjo kryesisht është për shkak të qasjes negative të Athinës.

Ai rikujtoi se homologu i tij grek, Nikos Dendias, sot do të zhvillojë një vizitë në Ankara dhe tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e dialogut dhe vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve.

Sipas tij, për bisedimet mes dy vendeve fqinje nuk ka nevojë për Bashkimin Evropian (BE) ose ndonjë vend tjetër. “Kemi çështje që kemi mosmarrëveshje me Greqinë. Duhet t’i bisedojmë hapur dhe në mënyrë të sinqertë këto. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe t’i flasim të gjitha çështjet”, u shpreh ai.

“Egjipti ftoi një delegacion nga Turqia”

Kryediplomati turk në lidhje me marrëdhëniet me Egjiptin, theksoi se ishte rënë dakord që kanali midis dy vendeve, i cili u hap së pari midis shërbimeve të inteligjencës, duhet të vazhdojë nëpërmjet ministrive të punëve të jashtme.

Çavuşoğlu tha se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë vazhduar të tensionuara pas puçit ushtarak në Egjipt, duke shtuar se Turqia edhe në këtë periudhë ka theksuar se populli i Egjiptit është popull vëllazëror. “Stabiliteti dhe prosperiteti i Egjiptit është i rëndësishëm për të gjithë”, theksoi Çavuşoğlu.

Ai tha se Egjipti është një vend i rëndësishëm për të gjithë përfshirë botën islame, Afrikën dhe Palestinën.

“Egjipti ftoi një delegacion nga Turqia. Në fillim të majit një delegacion do të shkojë në Egjipt”, tha Çavuşoğlu.

Ai njoftoi se delegacioni do të jetë në nivelin zv.ministrave, duke shtuar se edhe ai më pas mund të takohet me homologun egjiptian.

Mes tjerash, Çavuşoğlu foli edhe në lidhje me Konventën e Montreux-it, duke theksuar se Turqia është duke e zbatuar fjalë për fjalë konventën.