Çavuşoğlu: Sanksionet e SHBA-së sulmojnë të drejtat sovrane të Turqisë

Në një intervistë për transmetuesin turk të lajmeve 24 TV, Çavuşoğlu tha se marrëdhëniet midis dy vendeve mund të normalizohen nëse SHBA përmbush pritjet e Turqisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka deklaruar se sanksionet e njëanshme të SHBA-ve sulmojnë të drejtat sovrane të Turqisë dhe vendeve të tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për transmetuesin turk të lajmeve 24 TV, Çavuşoğlu tha se marrëdhëniet midis dy vendeve mund të normalizohen nëse SHBA përmbush pritjet e Turqisë.

Ai theksoi se vendimi për sanksione është një hap i gabuar si ligjërisht ashtu edhe politikisht.

Të hënën, SHBA vendosi sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Sanksionet që vijnë nën Aktin e Kundërvënies së Armiqve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA) shënjestrojnë Presidencën e Industrive të Mbrojtjes së Turqisë (SSB), përfshirë kreun e SSB-së, İsmail Demir dhe tre zyrtarë të tjerë.

Lidhur me sanksionet, Demir tha se në tekst “qëndron se nuk ndikojnë marrëveshjet e nënshkruara para kësaj date, prandaj dhe nuk ka nevojë për shqetësim”.

“Ne nuk kemi nevojë për qasje financiare, nuk kemi pasur deri më tani. Aty ku do të përdoret mekanizmi i kredisë, ndërhyn kontraktori kryesor”, shtoi ai.

Në prill të vitit 2017, kur përpjekjet e saj të zgjatura për të blerë sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore ishin të pafrytshme, Turqia nënshkroi një kontratë me Rusinë për të blerë mburojën S-400.

Zyrtarët amerikanë kanë kundërshtuar blerjen e sistemit rus nga Turqia, duke pretenduar se ata do të jenë të papajtueshëm me sistemet e NATO-s dhe do të ekspozojnë avionët F-35 ndaj mashtrimit të mundshëm rus.

Megjithatë, Turqia theksoi se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbëjë asnjë kërcënim për aleancën ose armatimet e saj.

Zyrtarët turq në vazhdimësi kanë propozuar një grup pune për të shqyrtuar çështjen e pajtueshmërisë teknike.