Çavuşoğlu: Vazhdojmë t’i mbështesim nderin dhe çlirimin e vëllezërve palestinezë

Ministri i Jashtëm turk publikoi një mesazh mbështetës me rastin e përvjetorit të 72-të të Nakbas, që i referohet dëbimit masiv të palestinezëve për t'i hapur rrugën krijimit të shtetit izraelit

Me rastin e 72-vjetorit të Nakbas (Katastrofa), dëbimit masiv të palestinezëve për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit izraelit, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se vendi i tij do të vazhdojë t’i mbështesë “nderin, çlirimin dhe pavarësinë” e palestinezëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim nderin, çlirimin dhe pavarësinë e vëllezërve tanë palestinezë kundër politikës së pushtimit dhe zullumit në Palestinë, tentativa të paligjshme të aneksimit dhe të ashtuquajturit plan i paqes, i cili ka lindur i vdekur”, tha Çavuşoğlu në mesazhin e tij mbështetës në Twitter me etiketën “Nakba72”.

Mesazhin e tij Çavuşoğlu e shpërndau në gjuhët turke dhe arabe.

Gjatë krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948, rreth 800.000 palestinezë u detyruan të largohen nga tokat dhe shtëpitë e tyre nga bandat e armatosura sioniste. Ata vranë 15.000 palestinezë, sipas shifrave të përpiluara nga organizatat palestineze.

Popullsia palestineze në vitin 2019 arriti në 13,4 milionë, prej të cilëve 5,6 milionë janë refugjatë, tregojnë të dhënat e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).