Çfarë mund të kamuflojë një spektakël kaq i madh?

Nga Redi Shehu

Një ditë shiu e 11 Dhjetorit shënoi zhvillimin e kuvendit të thirrur nga anëtarësia e Partisë Demokratike, si një risi në historinë e partive politike në Shqipëri. Jo vetëm numri i pjesmarrësve por edhe skenografia, ambienti dhe konteksti në të cilin u zhvillua ky tubim, la përshtypjen e një ngjashmërie pothuaj tragjike me ngjarje të kësaj përmase të bëra nga Partia Socialiste. A thua ky kuvend i mbështetësve të Berishës shënoi për herë të parë një ngjashmëri me eventet socialiste ku, imazhi, emulacioni, detajet dhe ngjyrat dalin në plan të parë duke dashur të tregojnë triumfalizmin e një aksioni politik? Nëse veprimtaritë socialiste e përdorin imazhin për të kamufluar problemet e mëdha me qeverisjen, po kuvendi i z. Berisha çfarë dëshironte të tregonte? Çfarë do të duhet të kamuflonte një ngjarje e këtyre përmasave ku pjesmarrja fliste vetë pa nevojën e grafikës dhe pompozitetit të lartë?

Që një javë përpara se të zhvillohej kuvendi i z. Berisha, filloi të bëhej e qartë se pjesmarrja e delegatëve në këtë kuvend do të ishte shumë më tepër se kuorumi i kërkuar për të legjitimuar mbledhjen e tij dhe për këtë nuk kishte dyshime. Nga krahu tjetër pjesa zyrtare e Partisë Demokratike nuk rreshti së pohuari se linja e saj është e vetmja e vërtetë në të gjithë këtë konflikt të këtyre përmasave politike.  Në ndihmë erdhi edhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit z. Escobar i cili qartësish pozicionoi institucionet amerikane në mbështetje lidershipin zyrtar të PD-së.

Por ama, pyetja që del natyrshëm është përse do të duhej gjitha ai pompozitet kur maxhoranca e delegatëve mbështesnin iniciativën e grupit Berisha? Vetëm në një rast mund të përdoret gjithë kjo goditje imazhi me pasoja impresionuese, vetëm në rastin kur prapa gjithë kësaj nuk ekziston morali apo moraliteti i ngjarjes.

A ka moral në këtë që po bën z. Berisha? A ka të drejtë ai të ndezë të gjithë motorat e tij hipnotizues për të rreshtuar mijëra njerëz të bindur se po mbrojnë të vërtetën? Kjo pyetje gëlon në kokat e shqiptarëve të cilët përballë shprehjes së vjetër të Berishës :”Unë ju garantoj ju…” kanë pasur dhe kanë dyshimet e tyre se stofi demokratik me të cilin ai mbështolli shqiptarët kur ishte në pushtet, por edhe në opozitë, nuk i ka mbajtur aspak ngrohtë.

Një gjë vërtetoi masiviteti i pjesmarrjes së kuvendit por edhe i foltoreve, faktin se z. Berisha në mënyrë permamente ka pasur ndikim absolut në Partinë Demokratike. Ashtu siç një gjë është e vërtetë, se ky ndikim dhe gjithë këta pasues nuk ranë nga qielli vetëm këto javët e foltores. Ata kanë qenë aty gjithmonë mbështetës të Berishës dhe kanë ndërmarrë hapat e tyre politikë të udhëhequr nga bindja se prania e tij dhe konsensusi i tij në të gjithë opozitarizmin e Partisë Demokratike, ishte gjëja më e duhur për të bërë. Zhvendosja e kësaj mase në bllok në drejtimin e ri të Sali Berishës në Shtator, vetëm kur ai dha komandën, e vërteton akoma më shumë këtë fakt.

Por çfarë do të thotë kjo, mund të pyesin shumë kureshtarë. Vërtet, kjo do të thotë shumë. Kjo do të thotë se z. Berisha në mënyrë të vullnetshme ka përdorur influencën e tij brënda partisë për të mbështetur gjatë këtyre nëntë viteve në opozitë Lulëzim Bashën dhe të gjithë veprimet e tij. Është e pamundur për një njeri me një influencë përtej 70% në një parti, të mund të hiqet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj humbjeve apo sjelljeve shpesh kontraverse opozitare. Nuk mund të hiqet sikur nuk ka dorë apo përgjegjësi për marrëveshjen e turpshme të 2017-tës, për braktisjen e mandateve parlamentare në 2019-tën bashkë me bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Nuk mund të hiqet sikur nuk ka përgjegjësi për votimin dhe mbështetjen e z. Basha deri në Shtator të këtij viti, ku pranoi dhe votoi bashkë me mbështetësit e shumtë të tij, organet si dhe kryetarin Basha pak muaj para foltoreve.

Të dyja palët si Berisha po ashtu edhe Basha përdorin retoriken e bashkimit. Ata thonë se Partia Demokratike është më e bashkuar se kurrë. Kjo nuk është hiç e vërtetë, kjo është gënjeshtra dhe hipokrizia më e madhe e thënë ndonjëherë. Partia Demokratike është me përçarë se kurrë. Ajo është aq e përçarë sa dëshpërimisht flet për bashkim me metodat e përçarjes, flet për një parti të vetme në kohën kur qartë dallohen dy parti në horizontin e djathtë. Prandaj na duhet imazhi, spektakli, grafika për të dhënë përshtypjen e normalitetit në kohën më anormale të mundshme. Në të njëjtën mënyrë edhe z. Basha kërkon të ndërtojë spektaklin e tij për “të gjithë demokratët”, për të kamufluar të njëjtat simptoma mungesën e të moralshmes dhe përçarjen. Ashtu si Berisha do të duhej të jepte llogari para masës së vet në kuvend se pse e pat përdorur influncën e tij në parti, ashtu edhe z. Basha duhet të jepte llogari para mbështetësve te vet  se pse deri para pak javësh e quante “lider historik” z.Berisha duke e ditur se ai ishte një njeri me dosje të cilën ai e kishte parë vetë.

E të mendosh se gjithçka po sendërtohet për të kamufluar thelbin nga i cili një e djathtë ndërtohet, moralitetin e aksionit politik. Në gjithë këtë histori të kuvendeve dhe spektakleve, e vërteta qëndron e fshehur pas ngjyrave dhe imazhit me shpresën të grabisë kujtesën e njerëzve. Për hir të së vërtetës, ajo po ia del të hutojë dhe të bëjë të harrojnë të gjithë.