Kanë dalë në dritë përgjimet nga skandali i gjyqtares Enkelejda Hoxha dhe bashkëpuntorëve të saj të cilët lironin kriminelët nga burgu. Përgjimet janë siguruar nga gazetarja Klodiana Lala dhe të zbardhura nga “BalkanWeb”.
Një bisedë e 1 korrikut të vitit të kaluar mes sekretares Mallkuçi dhe vëllait të të dënuarit Gentjan Nezaj, Gazmir Nezaj, të cilit pasi i tregon se ka dërguar të ëmën në spital, e siguron se një ditë më pas do i shkojë në dorë kërkesa asaj (gjyqtares). Me qëllim që çështja t’i kalonte gjyqtares Hoxha, shtetasi Gazmir Nezaj kontakton sërish krye sekretaren e gjykatës, shtetasen Manuela Mallkuçi.
Në datë 01.07.2020 ora 11:14, shtetasi Gazmir Nezaj, komunikon me përdoruesen e numrit telefonik celular 06*****872, shtetasen Manuela Mallkuçi dhe nga përgjimi është përftuar kjo bisedë.
BISEDA:
+141:…Hiç, je n’pun apo n’shpi?
+872: Jo, jo, jam pak ke spitali, për mamin.
+141: Eeee?
+872: Ke spitali jam.
+141: E po pse?
+872: Kam sjell mamin, kam sjell pak mamin.
+141: E po si e ke?
+872: Po kshu më mirë e kam më mir, t’shofim tashi se do ta fus për koronarën.
+141: Ee.
+872: T’shofim çar do m’dali.
+141: E, hajde se për gjithçka po t’mar prap n’telefon.
+872: Faleminderit po dgjo tani dgjo, meqë më more.
+141: Hë, hë.
+872: Ajo nesër i shkon asaj n’dor, ajo kërkesa…”
Kjo bisedë është shumë e rëndësishme pasi shtetasja Manuela Mallkuçi e siguron Gazmirin se kërkesa do t’i shkonte asaj në dorë, gjyqtares Enkeleida Hoxha. Shumë domethënëse është se kjo bisedë zhvillohet ditën në të cilën është regjistruar kërkesa e Gentian Nezajt në sekretari.
Në datë 02.07.2020, ora 08:49, përdoruesi i numrit telefonik celular 06*****04, që i përket shtetasit Aldo Tabaku, komunikon me përdoruesen e numrit telefonik celular 06*****104 që i përket shtetases Rukije Dervishi (sekretarja e gjyqtares Enkeleida Hoxha) me mesazh: sms text: “Në orën 9 ke danaj rryc”
Në datë 02.07.2020, 09:55, Gazmir Nezaj, komunikon me shtetasen Manuela Mallkuçi, ku përftohet ky komunikim:
BISEDA:
+141: Si, si?
+872: Kërkesë Gentjanit?
+141: Po.
+872: Nesër i shkon gjyqtares n’dor, e kam rregjistru…
+141: E ke rregjistru? I shkon nesër gjyqtares?
+872: Po, po po..
+141: I bi ktij? T’njëjtit?
+872: Po…, po po..
+141: Okej, okej…
+872: Prandaj pa merak…
Hoxha u vu në pranga bashkë me 9 persona të tjerë pasi kishin në plan të lironin të dënuarin për vrasje Saimir Petani. Avokati Aldo Tabaku ishte pjesë e skemës bashkë me sekretaren e gjykatës, Manuela Mallakuçi dhe ekspertin mjeko-ligjor, Shkëlqim Korbi. Gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet nga SPAK se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje. Në skemë u zbulua edhe mjeku kardiolog Edvin Prifti pasi mori ryshfet për të operuar në QSUT nënën e sekretares së gjykatës.



