Çka është agjërimi dhe përse duhet të agjërojmë?

Janë dy momente të rëndësishme që i përmendi shpesh në opinionet e mia; Është vizioni i Islamit mbi njeriun, dhe, thirrja e vazhdueshme që e bëjë për një ri-interpretim të Islamit, pra, për reformën në interpretimin e Islamit. Jo rastësisht, këto dy momente janë arsye që herë pas here hasi në kritika të ashpra. Sa për shkak të logjikës së shabllonizuar të njerëzve të cilët i lexojnë këto shkrime por nuk i kuptojnë drejtë e sa duhet, sa për shkak të asaj se përpjekjet për reforma dhe për ripërtëritje gjithmonë kanë hasur në pengesa të ashpra. E kur është fjala për ripërtëritjen e Islamit, ato kritika janë edhe më të zëshme. E mira është se as jam i pari që shkruaj kështu, e as do të mbetem i fundit.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Formimi i personalitetit të shëndoshë të njeriut për Islamin është detyrë parësore. E tërë struktura teologjike e tij është e ngritur mbi bazën e kësaj objektive. Për të realizuar këtë, Islami ka paraparë masa shumë të rëndësishme. Kështu, krahas besimit në Zot, namazin e ka obliguar si ilaç i pakontestueshëm, i padiskutueshëm dhe i paprekshëm për edukimin dhe fisnikërimin e shpirtit të njeriut. Ndërsa për trupin dhe shpirtin së bashku ka obliguar agjërimin si metodë shumë e suksesshme për fisnikërimin tonë.

Për shkak të ndjenjës së sakrificës që e mbjell në njeriun, agjërimi konsiderohet njëri prej mjeteve më efikase për ngritjen shpirtërore të njeriut. Mjet efikas sidomos pastrimin e shpirtit nga të palarat e materies që e vyshkin atë pjesë të Zotit në ne. Dhe, për të kuptuar më mirë rolin e agjërimit në formimin e personalitetit e shëndoshë të njeriut, këtu, edhe një herë do të flasim atë se si e sheh Islami njeriun.

S’do mend se njeriu është një det kundërshtishë që ndodhin në brendësinë  e tij. Është arenë lufte në të cilin zhvillohen beteja të ashpra midis shpirtit dhe materies. Si qenie dydimensionale i përbërë prej shpirtit dhe trupit dhe i gozhduar mes këtyre poleve, ai vazhdimisht i ekspozohet ballafaqimit ndërmjet energjive kreative që e shtyjnë lartë kah bota shpirtërore, kah bota e engjëjve, dhe energjive shtazarake që e tërheqin poshtë kah materia e përbashkët me të gjitha shtazët tjera. Nga njëra anë, pra,  shpirti si fuqi kreative bënë luftë të hapur me materien për një botë më të mirë, ndërsa trupi përpiqet ta mbajë afër kafshëve me të cilat ndanë kocin dhe mishin. Pikëpamjet filozofike, si ekzistencializmi e materializmi të cilat njeriun e përshkruajnë si qenie e braktisur dhe e brengosur, në fakt, janë pikëpamje e shëmtuara të cilat qenies njerëzore nuk ua njohin shpirtin, atë pjesën kreative që e lidhin me engjëjt. Sipas tyre, shpirti nuk ekziston, ndërsa jeta është rezultat i lëvizjes së përhershme të materies nëpër kohë. Dorën në zemër, duhet arsyetuar materialistët që thonë se njeriu është shtazë sikur të gjitha shtazët. Teksa njeriun e përkufizojnë si materie e zhvilluar në histori, pra, duke mos ja njohtë shpirtin që është indikator i rëndësishëm në zhvillimin e personalitetit të tij, gjithashtu, teksa për arsyen thonë se edhe ajo është pjesë e materies në ne e evoluar nëpër kohë, del se, njeriu s’mund të jetë ndryshe nga kafsha. Evolucionizmi, nga ky këndvështrim, është koka e marrëzisë shkencore teksa flet për krijimin dhe formësimin e njeriut. Ideja evolucioniste është e kundërta e asaj që thotë Islami, sepse, Islami njeriun e njeh si zëvendës i Zotit në tokë, jo si qenie e cila “rastësisht” ka evoluar nga qeniet tjera të gjalla. Islami na mëson se ne njerëzit nuk jemi qenie që i kemi rrënjët tek pakurrizorët aq më pak jemi pasardhës të majmunëve.

Asnjë teori a ide moderne në Perëndim nuk ka qenë aq e dëmshme ndaj fesë (krishtere) sa teoria e evolucionit. Sepse, pikëpamja evolucionare refuzon kategorikisht mësimet e fesë mbi krijimin e njeriut. Ajo ndanë deri në palcë botën materiale nga bota shpirtërore të cilat Islami i sheh të pandashme, në korrelacion mes vete dhe që ndihmojnë njëra tjetrën. Teoria e evolucionit e lë njeriun jetim në duart e fatit të tij. E le të pambrojtur e të pa ndihmuar nga Zoti. Sipas saj, teksa “më e madhja” evoluon nga “më e vogla”, njeriu vjen prej majmuni, ndërsa këta dy dhe qeniet tjera të gjalla prej amebës, e kjo e fundit, prej pikave kuacervate të cilat rastësisht paraqiten pas “shpërthimit të madh”. Teoria e evolucionit që mohon ndërhyrjen e së “Lartës” tek e “poshtmja”, është rezultat i shembjes së parimeve fetare-teologjike mbi jetën. Evolucionizmi, pra është orvatje e dëshpëruar e njeriut për të mbushur zbrastësinë e krijuar nga përpjekja e tij për ta larguar Zotin nga bota. Për ta hedhur Atë matanë krijimtarisë së Tij dhe për ta bërë botën pa qendër.

Kur’ani na mëson se njeriu ka shpirt dhe trup. Ai është i dërguar për një mision të caktuar dhe shumë të rëndësishëm. Që të jetë zëvendës i Zotit në tokë të cilit i është lënë në dispozicion e gjithë ekzistenca. Kur’ani na tregon se misionin të cilin e pranoi njeriu, për shkak të peshës së madhe që ka, e kishin refuzuar edhe toka edhe qiejt. Pozita e njeriut në këtë botë, pra, nuk është e lehtë, por është i rëndë dhe e komplikuar. E për t’i bërë ballë presionit brutal të materies e cila e tërheq kah poshtë, atij i duhet forcë për tu aftësuar shpirtërisht, sepse, vetëm si i fortë në shpirt mund t’i bëjë ballë robërimit të materies.

Në këtë kontekst, agjërimi është armë shumë efikase për ta mundur fuqinë brutale të materies si dhe shtypjes dhe robërimit të saj. Edhe pse e lufton robërimin e materies, Islami nuk e preferon jetën askete (zuhd) e të krijojë raporte pasive ndaj begative materiale. Aliu r.a. thotë se zuhdi të cilin e rekomandon Islami nuk donë të thotë që njeriu të mos posedojë asgjë, por, asgjë të mos e sundojë dhe asgjë të mos e robërojë atë. Qëndrimi i Islamit ndaj begative materiale nuk konsiston në atë që myslimani të mos ketë, përkundrazi, të ketë sa më tepër. Gjithë çka në tokë e në qiej i është lënë në diskonim njeriut. Megjithatë, njeriu nuk duhet t’i nënshtrohet atyre begative e të bëhet rob i tyre. Agjërimi është ai që i vë në baraspeshë këto. Shpirtin dhe materien. Ai dëshiron ta mbajë njeriun aty ku e ka vendin, midis kafshës dhe engjëjve, midis materies dhe shpirtit, midis botës të ulët dhe botës së lartë.

Agjëruesi nuk guxon të ikë nga begatitë materiale. Nuk guxon të tërhiqet as kah “këndi i mistikëve” nga ku bota shihet si diçka që nuk mund të ndryshohet. Agjëruesi në asnjë moment nuk guxon të humb hapin me dinamikën e jetës. Në historinë islame, beteja të suksesshme janë arritur në kohët e agjërimit. Sepse, agjërimi sipas Islamit nuk është vetëm etje dhe uri. Ai e ndihmon njeriun ta pushtojmë vetveten, të bëhet zotërues i epsheve të veta. Agjërimi është mësimi më i mirë mbi atë se materia për njeriun duhet të ketë statusin e mjetit e jo të na bëhet ajo synimi dhe qëllimi i jetës sonë.

Ajetet 183 dhe 184 të kaptinës el-Bekare tregojnë qartë për rolin kaq të rëndësishëm të agjërimit. Aty thuhet se agjërimi është edhe mjet efikas kundër mëkateve. Ndër mëkatet e mëdha që i rëndit Islami është sidomos shfrenimi dhe dominimi i pasioneve të njeriut, i dominimit të materies mbi njeriun. Kur epshet dhe pasionet e mundin njeriun, atë e bëjnë më të ulët se kafsha. E bëjnë “esfelu-safilin”. Sepse, sipas Kur’anit: “In-nen-nefse le emaretun bis-sui” (epshi është i prirë kah e liga). Kur njeriu bëhet rob i pasioneve dhe materies, ai e humb vlerën e tij njerëzore. Transformohet në krijesë të pangopshme e makute. Sot gjithandej jemi dëshmitarë të sjelljes së këtillë të njeriut i cili ka humbur sensin e të qenurit njeri. I njeriut i cili është shndërruar në qenie me shpirt sa të miut e me trup fizik sa të elefantit.

Muhamedi a.s. ka thënë se lufta për të shpëtuar veten është më e madhe se lufta kundër armikut. Të ligat dhe mëkatet që i bënë njeriu, jo gjithherë janë pasojë e injorancës. Ato burojnë edhe në motivet tona që mbijnë në dëshira, në shpirt e në zemër. Mëkati në fakt është pasojë e mospajtesës midis dëshirës dhe arsyes, vullnetit dhe diturisë. Mëkati i vërtetë qëndron pikërisht në atë mospajtim. Prandaj, të harmonizuarit e dëshirës dhe arsyes, vullnetit dhe diturisë, është çështje shumë me rëndësi. Nga aty varet lumturia dhe prosperiteti ynë, dhe mu këtu, agjërimi luan rolin kryesor të tij. Pra, sendërtimin e jetës mbi principin e të mesmes së virtytshme.

Nisur nga këtu, roli i agjërimit bëhet gjithnjë e më i vlefshëm. Agjërimi ngjall dhe përforcon njerëzoren te njeriu, forcon dëshirën e tij dhe e drejton kah mirësia. Agjërimi na mëson si të kërkojmë lumturin në realizimin e vlerave të larta morale, sepse ato janë dhe duhet të jenë tiparet kryesore të njeriut. Pikërisht kjo e bënë njeriun të dallohet prej kafshës e cila di vetëm për kënaqësi materiale, vetëm për nevoja pasionesh e epshesh.

Agjërimi ka edhe aspektin shëndetësor. Porosia “Agjëroni, nëse doni të jeni të shëndoshë”, të cilën Muhamedi a.s. e proklamoi, u bë normë e mjekësisë bashkëkohore. Agjërimi në mjekësinë bashkëkohore zë vend të rëndësishëm. E mira e agjërimit më nuk është aspak diskutabile. Përveç kësaj dhe si rrjedhojë e mbjelljes së ndjenjës së sakrificës në ne, agjërimi transformohet në forcë të brendshme e cila e aktivizon njeriun dhe e orienton kah ndihma për të tjerët. Sadakatu’l-Fitri është argumenti më i mirë i anës sociale që e ka agjërimi.