Clark: Në Kosovë, me trupa tokësore nga Shqipëria nëse Milloshevic nuk dorëzohej

Pas kaq kohësh, ish Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, rrëfen disa të pathëna nga lufta e Kosovës.

Clark tregoi për një media shqiptare se amerikanët ishin të gatshëm të hynin dhe me trupa tokësore në Serbi nëse Sllobodan Milloshevici nuk do të dorëzohej. “ Ai ishte si një gangster, si lider mafioz.

I manipulonte dhe i detyronte njerëzit të bënin gjëra, pa folur fare. S’po them ta vrasësh. Bëj atë që është e nevojshme, u thoshte dhe faji u mbetej atyre”; kështu e përshkroi gjenerali njeriut që njihet ndryshe dhe si “Kasapi i Ballkanit”.

“Në samitet e NATO-s nuk është përmendur asnjëherë ndërhyrja tokësore”, tha ai duke treguar megjithate se plani ekzistonte dhe trupat do të hynin nga dy shtete fqinje të Serbisë, Maqedonia dhe Hungaria, si dhe Shqipëria.

“Ne e kishim planin tjetër që fushata e bombardimeve të mos vazhdonte pa fund. Po përgatisnim planin për dërgimin e disa trupave tokësore. Disa do të hynin nga Shqipëria, disa nga Maqedonia dhe disa nga Hungaria. Nuk do të ndaleshim deri në dorëzimin e Serbisë, apo Jugosllavisë.

Nuk do të ndaleshim asnjëherë, nëse Milloshevic nuk do të dorëzohej. E keqja ishte se ai nuk po e kuptonte me cfarë po përballej. Rrinte me një pije në dorë në shtëpinë e tij”, u shpreh Clark.