“Çmimet në total janë rritur me 5% në janar, ushqimet 9.9%”, Meta kërkon rritje pagash: Koha për një politikë të përgjegjshme ekonomike në interes të qytetarëve

Presidenti i Republikës Ilir Meta kërkon një politikë të përgjegjshme ekonomike në interes të qytetarëve. Meta citon shifra për rritjen e çmimeve në muajin janar, teksa duke iu referuar të dhënave të EUROSTAT deklaron se Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon në përqindje të mesatares europiane.

Kreu i Shtetit thekson se në kushtet kur rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë vijon pa u ndalur, institucionet duhet të marrin nisma konkrete për indeksimin e pagave me qëllim për të ruajtur nivelin e jetesës së qytetarëve.

DEKLARATA E PRESIDENTIT

📊📈🇦🇱 KOHA PËR NJË POLITIKË TË PËRGJEGJSHME EKONOMIKE NË INTERES TË QYTETARËVE.

Çmimet në vend vazhdojnë të rriten në nivele shqetësuese, duke dëmtuar seriozisht ekonomitë familjare dhe thelluar varfërimin e shqiptarëve.

Në janar 2022 çmimet në total janë rritur në masën 5.0%, ndërsa të mallrave ushqimore në 9.9%. Ndërkohë sipas të dhënave të EUROSTAT, Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon në përqindje të mesatares europiane.

Në kushtet kur rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë vijon pa u ndalur, institucionet shtetërore përgjegjëse jo vetëm duhet të monitorojnë zhvillimet e inflacionit, por edhe të marrin nisma konkrete për indeksimin e pagave me qëllim për të ruajtur nivelin e jetesës së qytetarëve.

Mosreagimi ndaj rritjes së çmimeve nuk është në përputhje me interesin publik, rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe mbrojtjen e tyre nga spekulimet.