COVID-19/ Në tre ditët e fundit është ulur ndjeshëm kurba e të infektuarve, vetëm 176 persona janë aktivë

949 të infektuar, 31 viktima dhe 742 të shëruar, ky është bilanci i deritanishëm i COVID-19 në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar vetëm 1 person me COVID-19 në qytetin e Tiranës. Ndërkohë 176 persona janë aktualisht aktivë.

Ditët e fundit është ulur ndjeshëm numri i personave që rezultojnë të infektuar me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë njoftoi një ditë më parë se gjatë 24 orëve të fundit ka rezultuat i infektuar vetëm një person në Tiranë, duke shkuar në 949 numri total i të prekurve. Adela Vasili nga Instituti i Shëndetit Publik tha se së fundmi janë testuar 177 persona të dyshuar, por vetëm 1 prej tyre rezultoi i prekur me COVID-19.

 

Ndërkohë janë shëruar edhe 15 qytetarë dhe numri total i të shëruarve ka shkuar në 742. Lajm i mirë është se nuk është shënuar asnjë viktimë tjetër. Në vendin tonë aktualisht janë 176 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Ndërkohë spitali COVID-2 është mbyllur dhe tashmë “Shefqet Ndroqi” i është kthyer normalitetit, ku kryhen edhe operacionet e planifikuara.