Dalja e medias jashtë reflektimit social

Nga Redi Shehu

Të përceptuara si pjesë e njëra-tjetrës ku mungesa e njërës do të linte tjetrën të përtharë, si media ashtu edhe politika janë përbërës të të njëjtit produkt social. Pjesa më  e madhe e thelbit literalist  të mediave në vendet e mëdha apo në boshtet dominuese qytetërimore karakterizohet nga etnocentrizmi i cili edhe pse i artikuluar apo shkruar me terminologji universaliste, i referohet vetëm eksperiencave pjesore apo lokale të këtyre vendeve. Ndërsa kur bëhet fjalë për mediat e qytetërimeve periferike me këto boshte, apo thënë ndryshe vendet e vogla, në artikulimet e tyre mediatike, huazojnë trajtesat si dhe terminologjinë e boshteve kryesore duke i mbivendosur mbi kontekstet e tyre specifike rajonale.

Është e vështirë për një individ të një shoqërie të caktuar që të kuptojë lajmin apo edhe median në përgjithësi pa kuptuar tipologjinë e vendit ku ajo media ushtron aktivitetin e saj. Pa kuptuar sistemin politik , lidhjet ekonomiko-sociale, përbërjen e shoqërisë civile dhe kahjet e saj, sepse duke iu referuar Peterson dhe Schramm, media është “reflektim i sistemit të kontrollit social” të një vendi të caktuar. Por, roli i mediave në ndikimin që ato kanë ndaj institucioneve si dhe fakti që ajo (media) po i kapërcen kufinjtë e vet dhe po transformohet në një superfuqi në raport me këto institucione si dhe strukturën politike, ka bërë që teoria e medias si reflektim i sistemit që ushtron kontroll ndaj shoqërise, të përmbyset duke e bërë median një promotor të modelimit social dhe modelimit strukturor politik.

Media e pavarur është një, le të themi, gjymtyrë jetësore e çdo sitemi demokratik dhe me anë të saj politika komunikon me zgjedhesit. Nëse politika arrin të kontrollojë informacionin që prodhon media lidhur me veprimet apo mosveprimet e veta, sigurisht që do të jetë e aftë pastaj që kriterin e së vërtetë ta modelojë dhe të influencojë qytetarët mbi produktet e veta politike. Duhet thënë se është e vështirë që të gjejmë një puritanizëm mediatik përsa i përket marrëdhieve të saja me politikën. Gjithsesi, dhënie-marrjet midis tyre janë faktikisht etapa të dukshme në pothuaj të gjitha vendet, për këtë arsye neutraliteti mediatik ngelet edhe sot e kësaj ditë një ëndërr e  cila akoma qëndon larg të bërit realitet. Sot, përveç faktit që media përçon lajmin ajo në të njëjtën kohë përfaqëson edhe pikëpamjet e  grupeve të caktuara sociale.

Pikërisht në sajë të faktit të lojës trekëndore të medias me politkën dhe biznesin, sot ne kemi perandori mediatike në dorën e individëve të ndryshëm të cilët zotërojnë një përqëndrim gati të frikshëm informacioni. Në këtë mënyrë kufinjtë  medias si tipologji tejkalohen, mbifuqizohen dhe prodhojnë një influencë aktive mbi institucionet dhe individët politkë. Në sajë të këtij pushteti, këta individë me anë të perandorive të veta mediatike mund të avantazhojnë një forcë politike në kurriz të tjetrës, dhe këtë jo në sajë të produktit politik, por më shumë në sajë të produktit të biznesit që kjo e fundit i ofron asaj (medias). Kjo do të thotë mbi të gjitha deformim i cilësisë së informimit i cili pa dyshim që do të pasqyrohet në një deformim të përceptimit të masave e cila nga ana e vet e përthyen në një vendimarrje të deformuar. Çështje në thelb positive mund të t’i ofrohen shikuesve me konotacione negativiste dhe çështje alarmante negative mundet po ashtu në sajë të cilësisë manipuluese që gëzon media, të serviren si pozitiviste, bashkëkohore dhe progresiste.

Sa më shumë që perandoria mediatike të jetë e shtrirë dhe influente, aq më e madhe bëhet përpjekja e politikës për ta shtënë në dorë atë. Si pasojë e këtij presioni të madh mediat, të cilat në fillim iu bashkangjitën korporatave dhe më pas u bënë korporata vetë, gjetën rrugë të ndryshme për ta thërrmijëzuar mesazhin e vet në disa nivele shoqërore e kulturore siç është rasti i platformave tokësore dhe satelitore të tipit pay- per- view. Këto sipërmarrje mediatike me influencën e tyre të jashtëzakonshme filluan të kontrollojnë zhvillimet sociale. Jo vetëm kaq por këto media, të cilat kryesisht aktivitetin e tyre e zhvillonin në boshtet kryesore civilizuese, u bënë media referenciale përsa i përket lajmit dhe komentimit të lajmit për mediat e qytetërimeve periferike, të cilat në më të shumtën e rasteve bluanin në mullirin lokal mediatik këto informacione duke bërë thjesht vetëm punën e vështire të përkthimit.

Pyetjes se cila do te ishte media ideale po bëhet gjithmone e më e vështirë t’i gjehet përgjigjia. Disa thonë se nje media ideale kërkon një shoqëri ideale, por a mundet të ndërtohet një shoqëri ideale kur media si faktor i rëndësishëm i botëformimit të kësaj shoqëria është larg të qënurit e tillë? Duket një rreth vicioz i cili cyt drejt deformimit dypalësh. Gjithsesi dalja e medias jashtë rolit të saj si reflektuese e shoqërisë dhe kthimi i saj në imponuese të realiteteve e ka pështjelluar edhe më shumë zgjidhjen e dilemës së medias ideale. Ndoshta më mirë se një shoqëri ideale e cila duket si eufemizëm, do të ishte më mirë të ndërtonim një shoqëri civile afër ideales e cila do të kishte aftësinë të ndikonte ne disiplinimin mediatik të individëve apo edhe institucioneve kombëtare.