Dashnor Sula reagon mbi çmimet abuzive: Tregtari tallet me djersën e fermerit. Qeveria të ndërhyjë tani ose…

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka ngritur shqetësimin në lidhje me abuzimin mbi çmimet e produkteve bujqësore.

Me anë të një statusi në Facebook, Sula tha se fermerët shqiptarë nuk diskriminohen vetëm nga shteti, por edhe nga tregtarët që ndihmohen nga shteti.

Deputeti demokrat ka bërë thirrje që qeveria të mos lejojë tregtarët të tallen me djersën e qytetarit të ndershëm.

Postimi i plotë:

Tallja me fermerët që punojnë tokën.

Fermerët shqiptarë nuk diskriminohen vetëm nga shteti, por edhe nga tregtarët që ndihmohen nga shteti.

Zona e Peqinit apo Belshit kultivon konsiderueshëm pjeshkët dhe kajsitë.

Sot në tregun me shumicë, 1 kg Pjeshkë shitej me 30 lekë të reja, ose 300 lek të vjetra. Ndërkohë 70 kilometra më largë, në Tiranë 1 kg pjeshkë shitet rreth 180- 200 lekë ose 2 mije lek të vjetra. 1700 lekë fiton tregtari për 1 kg.

Ndërkohë Kajsitë sot në tregun e Lushnjes me shumicë shitej 900 lekë ndërsa në kryeqytet 3 mijë lekë. 2100 lek fiton tregtari për një kilogram.

-Po e bëj këtë reagim sepse është e pakonceptueshme, e patolerueshme që fermerët të cilët punojnë tokën, harxhojnë një vit kohë me koston e punimit, vaditjes, plehrave me koston e krahut të punës dhe mbi të gjitha pa asnjë mbështetje nga shteti të dal e ta shes me 300 lekë apo 900 lekë kajsinë, ndërsa tregtarët, oligarkët që financohen nga shteti për ndërtimin e frigoriferëve tallen me qytetarët ja marrin me çmim që si mbulon as kostot. Ndërkohë qe vijnë edhe e shesin me pakicë sa “frëngu pulën”.

-Në Shqipëri po mbesin gjithnjë e më pak njerëz që punojnë tokën, gjithnjë e më pak forcë punëtore.

Ndaj qeveria duhet të kthej vëmendjen tek ta. Të mos lejojë tregtarët të cilët i ka financuar miliona euro për të krijuar infrastrukturën dhe logjistikën qe të tallen me djersën e qytetarit të ndershëm.
Kjo është e patolerueshme. Duhet ndërhyrje tani sepse më vonë do të jetë shumë vonë.