Zyrtarët turq dhe një delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) u takuan të enjten në kryeqytetin e Turqisë Ankara për të diskutuar përpjekjet për të luftuar organizatën terroriste FETO, grupin që qëndron pas tentativës për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, njoftuan burimet turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takimin që zgjati 11 orë në Gjykatën e Ankarasë morën pjesë zëvendëskryeprokurori publik i Ankarasë, Ramazan Dinç, prokurori publik Ali Alper Saylan, zyrtarë të Ministrisë turke të Drejtësisë dhe delegacioni i SHBA-së, përfshirë zyrtarë të FBI-së, thanë burimet.
Kemal Batmaz, i ashtuquajturi imam civil i grupit terrorist FETO i cili është arrestuar, është sjellë në sallën dëgjimore për t’u marrë në pyetje, por ai njoftohet se nuk ka pranuar të japë ndonjë informacion.
Përveç Batmaz, në pyetje janë marrë edhe dy persona të tjerë.
Bisedimet e planifikuara për të enjten dhe të premten janë konsideruar si të rëndësishme për të ekspozuar rolin e udhëheqësit të FETO-së në SHBA, Fetullah Gülen, dhe rretheve të tij të brendshme.
Prokurorët e Ankarasë më herët kanë konfirmuar se të ashtuquajturit “imamë civilë” Batmaz, Adil Öksüz, Hakan Çicek, Harun Biniş dhe Nurettin Oruç kanë qenë në SHBA në janar, mars dhe qershor të vitit 2016, para përpjekjes për grusht shteti.
Emrat e mësipërm dihet të kenë mbajtur bisedime paraprake me Gülenin lidhur me puçin e dështuar.
FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Gülen, orkestruan tentativën për grusht shteti në korrik të vitit 2016, nga e cila 251 persona ranë dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.
Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n për zhvillimin e një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht ushtri, polici dhe gjyqësor.
Turqia ka kërkuar ekstradimin e Gülenit dhe ka shprehur zhgënjim për vonesën nga ana e palës amerikane.
Udhëheqësit turq javët e fundit kanë thënë se SHBA është duke treguar më shumë interes në një ekstradim të mundshëm të Gülenit dhe masa kundër anëtarëve të FETO-s në SHBA.



