Ministri turk i Drejtësisë, Abdulhamit Gül, ka bërë të ditur se deri më tani gjithsej 107 anëtarë të grupit terrorist të FETO-s të cilët u arratisën jashtë vendit janë sjellë në Turqi.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) në Ankara, Gül tha se Turqia ka kërkuar ekstradimin e 504 personave nga 91 vende.
“Numri i anëtarëve të FETO-s që janë sjellë në Turqi (deri tani) është 107”, tha ministri turk.
Ai theksoi se vendi i tij i plotësoi kërkesat për bashkëpunim gjyqësor nga SHBA-të mbi hetimin e FETO-s në Turqi dhe ekstradimet.
Gül po ashtu rikujtoi se Turqia ka dërguar shtatë kërkesa në SHBA për të ekstraduar kreun e Organizatës Terroriste Fetullah (FETO), Fetullah Gülen, që banon në Pensilvani.
“Çfarëdo që është e nevojshme për ekstradimin e Gülenit ka përfunduar në të gjitha aspektet, në përputhje me ligjin e ekstradimit. Nga tani, çfarëdo që duhet të ndodh është përmbushja e ekstradimit të tij”, tha Gül.
FETO dhe udhëheqësi i saj, Gülen, orkestruan grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi, i cili la 251 persona të martirizuar dhe rreth 2.200 të plagosur.
Ankaraja po ashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin nëpërmjet infiltrimit të institucioneve turke, duke përfshirë ushtrinë, policinë dhe gjyqësorin.



