Deri të premten temperatura 41 gradë

Vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin tonë që nga 20-21 qershori do të vijojë deri ditën e premte, me temperatura që shkojnë deri në 41 gradë.

Meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja tha për Euronews Albania se sot dita pritet të jetë shumë e nxehtë edhe për shkak të lagështirës në ajër.

Temperaturat ekstreme pritet të zgjasin deri në premten, kur priten rënie drastike të temperaturave, deri në 10 gradë celsius.

“Pas të premtes temperaturat ndryshojnë. Një masë që vjen nga veriu i Evropë do të sjellë rënie të menjëhershme të temperaturave me 10-11 gradë dhe pritet që nga e premtja, që do të ketë reshje, veç bregdetit. E shtuna dhe e diela do jetë e freskët. Në  të njëjtat norma do të vijojnë edhe 5-6 ditët e tjera, 30-32 gradë”, tha Porja.