Dështimi ynë në ndërtimin e një mendimi politik kombëtar

Nga Redi Shehu

Në çdo përplasje politike, të cilat janë kthyer tashmë në një status-quo edhe për çështje të interesit kombëtar, gjeometrizimi i qëndrimeve politike i të dy palëve të politikës sonë, jep në formën e një figure reale situatën e barazlargësisë së ndërsjelltë me elasticitetin që një parti politike do të duhej të aplikonte kur bëhet fjalë për qëndrime politike vendimtare. Në stacionet e rëndësishme të rrugëtimit të pushtetit, ne jemi përplasur  gjithmonë me shumë me vetveten se me këdo tjetër, pikërisht për arsye të mungesës së një mendimi politik kombëtar, i cili duhej të qëndronte mbi konfiguracionin partiak dhe që do të duhej të shërbente si masë referenciale në këtë vëllim kaq të madh kaotik të ngjarjeve politike.  
Është pikërisht mungesa e një mendimi kombëtar politik si frymë në vetvete, afatgjatë dhe mbikohor, i cili do të shërbente si referencë për të matur shkallën e luhatshmërisë së veprimit politik nga ana e aktorëve kryesore të lidershipit tonë. Gjuha e historisë sonë të re, flet me anën e ngjarjeve politike të cilat kanë shprehur në mënyrë ciklike paaftësinë tonë për të ndërtuar një mendim afatgjatë politik si shtyllë kurrizore e një rrugëtimi problematic tonin.

I vetmi qëndrim i të gjithë krahëve të politikës sonë përgjatë periudhës së postpavarësisë së shtetit shqiptar, që në vetvete nuk mund të konsiderohet si mendim, ka qenë njëtrajtshmëria me politikën e më të fortit dhe më të madhit edhe pse ky në disa momente historike mund të ishte në kundërshtim me interesat tona kombëtare. Për rrjedhojë, edhe qëndrimi ynë zyrtar për ngjarje apo momente kyçe, ka qenë hartuar me fytyrën tonë dhe zërin e më të fortit. Kjo mbivendosje, ka depersonalizuar politikën shqiptare e cila shënonte luhatjet e veta në varësi të këshillave apo shpesh edhe urdhërave të faktorit që kontrollon politikën tonë.

Duke qenë kështu të “çliruar” nga barra e hartimit të një platforme politike mbarëkombëtare, meraku më i madh i lidershipit tonë u përqëdrua në sigurimin dhe mirëmbajtjen e influencës së pushtetit më të madh personal, dhe për hir të kësaj që ata shpesh e quajnë politikë, logjika e ngjarjeve dhe qëndrimeve, nuk ka fare rëndësi, e rëndësishme është që të zbatohen qëndrimet e gatshme politike të servirura në atë mënyrë që të mos luhasin pushtetin personal të kryetarëve të organizimeve tribale që shpesh i quajmë parti . Është pikërisht kjo përplasje midis interesit vetjak dhe standarteve kombëtare të cilat përbëjnë edhe pikën e krizës apo edhe figurën e gjeometrizuar të dështimit në hartimin dhe përmbajtjen e një mendimi politik kombëtar i cili të mos shkaktojë konflikt midis pushtetit dhe interesave sociale dhe nacionale.

Çdo popull i vogël përshkohet nga një epidemi e tillë, por rasti i Shqipërisë është përtej modeleve të njohura, sepse asaj (Shqipërisë) i mungon një element që të vegjëlit e tjerë e kanë me aleatët e  mëdhenj të tyre, aleancën e natyrshme e cila kryesisht bazohet mbi përbërësin kulturor. Prandaj ,edhe gama e pavarësisë së këtyre popujve ndaj një platforme politike të importuar, është më e madhe dhe qëndrimi i tyre politik është më i pavarësuar. Në rastin tone, aleancat me më të mëdhenjtë nuk janë të natyrshme përveç se konjukturale dhe pragmatiste. Pra, mungon përbërësi i cili do ta bënte Shqipërinë më të natyrshme me aleancat dhe për rrjedhojë më të pavarur në mendimin e vet politik.

Për këtë arsye një aksion i madh kulturor mori udhë për të përngjasuar forcërisht kulturalisht Shqipërinë me lloj lloj aleatësh, duke evokuar dhe sajuar teza historike të pa argumentuara dhe të pa arsyetuara shkencërisht e historikisht, me qëllim që ngjizjen kulturore ta kallajisnin sa më natyrshëm. Por, në vend të ngjizjes së natyrshme, u arrit në depersonalizimin kombëtar në mbytjen dhe sterilizimin edhe të atyre pak vlerave kombëtare të cilat dashur padashur na pavarësonin dhe na bënin prodhues të vlerave tipike dhe të përveçme në mesin e fqinjëve që nuk ishin kujdesur aspak të fshihnin armiqësinë ndaj nesh. Prandaj, për sa kohë që përpjekjet për ngjizje artificiale dhe inskenime të sajuara kulturore, historike e për rrjedhojë edhe politike, do të vazhdojnë duke shkelur e shkërrmoqur çdo trashëgimi kombëtare, atëherë dyzimi dhe dështimi ynë në ndërtimin e një shteti funksional dhe me vlera do të jetë gjithmonë i pranishëm.